Kosova

Bozhoviç: Vetëm Hilli beson në perspektivën perëndimore të Serbisë


Balsha Bozhoviç

Balsha Bozhoviç, njohës i zhvillimeve socio-politike në Ballkanin Perëndimor, aktualisht kryetar i Akademisë Rajonale për Zhvillimin e Demokracisë (RAD), ka thënë se në mesin e shumë figurave të rëndësishme perëndimore të diplomacisë, vetëm ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, ende beson në perspektivën euro-atlantike të Serbisë.

Në një prononcim për gazetën malazeze “Pobjeda” të dielën, derisa ka komentuar mbi procesin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, lokale dhe krahinore në Serbi, ai ka thënë se mbështetja e Rusisë për Partinë Progresive Serbe (SNS) është jashtëzakonisht e rëndësishme për presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, në mënyrë që të forcojë pushtetin.

“Vetëm ambasadori amerikan në Beograd, beson se Serbia do ta kthejë kursin në drejtim të Perëndimit. Ky është vetëm një iluzion. Kjo është arsyeja pse Serbia insiston në një politikë anti-evropiane që në thelb promovon ‘neutralitetin’, ndërsa qëllimi përfundimtar i së cilës është të sjellë të gjithë serbët nën një ombrellë”, ka thënë ndër të tjera analisti malazez.

“Kjo është arsyeja pse Vuçiçi, por jo vetëm ai, përdori edhe Malin e Zi në fushatë elektorale sepse në narrativën publike u bë brum për plagën e Kosovës. Dhe videoja e presidentit të SNS-së e promovon hapur ‘botën serbe’ si diçka për të cilën do të punohet shumë më seriozisht në të ardhmen”, ka shtuar Bozhoviç, duke iu referuar propagandës serbe para zgjedhjeve.

Në vitet e fundit, sondazhet e kryera në rajon dhe Serbi, kanë treguar për polarizimin e shoqërisë serbe sa i përket besueshmërisë dhe anëtarësimit në Bashkimit Evropian (BE). Krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, qytetarët e Serbisë kanë treguar skepticizmin më të lartë dhe qëndrimin më negativ ndaj BE-së, derisa kanë favorizuar Rusinë dhe Kinën.

Perspektiva e Serbisë drejt BE-së është ende e pasigurt, nuk është e qartë. Gjithashtu, mbetet e paqartë nëse Serbia do të ndjekë politika të favorvshme ndaj stabilitetit rajonal. Serbia, gjatë gjithë historisë saj, ka marshuar sipas një daulleje krejt të ndryshme nga pjesa tjetër e botës perëndimore, duke refuzuar të përafrohet me politikën e jashtme të BE-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore