Kosova

Kurti mbështet Kamberin: Bashkimi i shqiptarëve në Preshevë, dëshmi e unitetit kombëtar


Albin Kurti dhe Shaip Kamberi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të mërkurën ka qenë i ftuar dhe folës në tubimin e mbajtur në mbështetje të listës “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi”, për zgjedhjet parlamentare që priten të mbahen më 17 dhjetor në Serbi, ka thënë se bashkimi i partive politike shqiptare në Luginë të Preshevës, është dëshmi për pluralizëm politik, por edhe për unitet.

Duke folur për koalicionin e përbërë nga pesë parti shqiptare, Partia për Veprim Demokratik, Partia Demokratike Shqiptare, Lëvizja e Progresit Demokratik, Unioni Demokratik Shqiptar dhe Aleanca për Luginën, që po garojnë së bashku në një listë, Kurti ka thënë se ai përbëhet me figurat që bartin integritet të lartë moral dhe patriotik, njerëz që shquhen për aktivitetin e tyre politik për të drejtat dhe liritë e shqiptarëve në Luginë.

Albin Kurti

“Ky bashkim i shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc në këto zgjedhje është dëshmi që mund të jemi edhe për pluralizëm politik edhe unitet kombëtar, mund të jemi edhe patriotë edhe demokratë, dhe se beteja e këtillë politike është e drejtë për nga karakteri i saj dhe se e gëzon mbështetjen tonë”, ka thënë Kurti, njofton zyra e tij.

Për Shaip Kamberin, i cili synon edhe një mandat në parlamentin e Serbisë si deputeti i vetëm shqiptar atje, kreu i ekzekutivit kosovar ka theksuar se është një zë i fuqishëm i reciprocitetit.

Ai i ftoi të gjithë që të bashkohen e ta mbështesin Kamberin dhe listën e përbashkët për t’iu kundërvyer regjimit autoritar e antishqiptar në Serbi, “dhe për t’i dalë në mbrojtje dhe avancim të të drejtave dhe lirive për komunitetin tonë shqiptar që jeton në atje”.

Ndryshe, Kamberi, i cili ka qenë deputeti i vetëm shqiptar në parlamentin e Serbisë, synon që ta marrë edhe një mandat.

Nga ana tjetër, Kurti është akuzuar, sidomos nga Kryetari i Preshevës, Shqiprim Afrifi, se po krijon përçarje tek shqiptaret që jetojnë në Serbi.

Por, mospajtimet në mes të Arifit dhe Kurtit janë krijuar pasi që i fundit i ka dhënë mbështetje kundërshtarëve politikë të Arifit në Luginë të Preshevës.

Ai e ka mbështetur Ardita Sinanin – tanimë këshilltare e tij – në kohën kur Arifi po tentonte që ta zinte vendin e saj në krye të Komunës së Preshevës.

Ndaj akuzave të Arfiti, deri më tani – asnjëherë – nuk u është përgjigjur kreu i ekzekutivit kosovar.

Shqiptarët që jetojnë në Luginë të Preshevës janë të shtypur sistematikisht nga institucionet e Serbisë.

Madje, atyre nuk iu lejohet as përdorimi i flamurit kombëtar.

Së fundmi një nga çështjet që është ngritur edhe në Senatin amerikan është pasivizimi i adresave që Serbia po i bënë shqiptarëve atje, posaçërisht në Medvegjë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore