Kosova

Kamberi: Beteja jonë politike për përdorimin e flamurit do vazhdojë deri në realizim


Shaip Kamberi

Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka thënë se beteja politike për përdorimin e flamurit shqiptar në Serbi duhet të vazhdojë.

Këto komente, Kamberi i bëri përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, derisa përmes një video, rikujtoi edhe një herë momentin kur ai kishte vendosur flamurin shqiptar në parlamentin e Serbisë.

“Që të valoj lirshëm në Luginë të Preshevës, duhet mos pasur fobi ndaj tij këtu, ne parlamentin e Beogradit, nga ku i njëjti na është ndaluar!”, shkroi ai.

“E nga kërkesa si kjo e përdorimit të flamurit kombëtar lirshëm, beteja politike e jona duhet vazhdojë, pa dorëzim deri në realizim”, përfundoi ai.

Kjo thirrje e Kamberit vjen pikërisht në 111-të vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, kjo pasi që institucionet serbe ua ndalojnë shqiptarëve përdorimin e flamurit të tyre kombëtar.

Ndërsa, mëngjesin e së kësaj të marte, për nder të pavarësisë së Shqipërisë, Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu, e ka ngritur flamurin shqiptar në objektin e këtij institucioni.

28 nëntori, flamuri shqiptar vendoset në objektin e KKSH-së në Serbi

Serbia nuk ua lejon shqiptarëve përdorimin e flamurit kombëtar, madje për një gjë të tillë, institucionet serbe i dënojnë sa herë që e bëjnë një gjë të tillë.

Rast konkret është ai i shkurtit të këtij vitit, kur Gjykata e Vranjës e kishte dënuar ish-kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafin si dhe vetë institucionin që ai e kryesonte, për kundërvajtje, kjo pas ngritjes së flamurit kombëtar shqiptar më 28 nëntor të vitit të kaluar, për nder të Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë.

Shqiptarët që jetojnë në Luginë të Preshevës janë të shtypur sistematikisht nga institucionet e Serbisë.

Së fundmi një nga çështjet që është ngritur edhe në Senatin amerikan është pasivizimi i adresave që Serbia po i bënë shqiptarëve atje, posaçërisht në Medvegjë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore