Kosova

Maqedonci e dekoron me medalje pronarin e kompanisë së dronëve “Bayraktar”: Ngritëm kapacitetet luftarake të Kosovës


Ministri i Mbrojtjes dhe pronari i kompanisë Baykar, Haluk Bayraktar.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci të hënën ka dekoruar pronarin e kompanisë, Haluk Bayraktar me medaljen “shërbim i shquar”, pas bashkëpunimit që kanë pasur me kompaninë e dronëve, ‘Bayraktar’.

Maqedonci, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka thënë se kanë diskutuar edhe për bashkëpunimet që do të kenë në të ardhmen me këtë kompani.

“Për vullnetin e gatishmërinë që kjo kompani dhe Republika e Türkiye ka shfaqur për bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës, shpreha mirënjohjen time të thellë duke dekoruar me medalje për “Shërbim të Shquar” z. Haluk Bayraktar”.

“Gjatë këtij takimi diskutuam për projektet e radhës në të cilat do të investojmë, dhe zgjerimin e këtij bashkëpunimi përtej blerjeve”, ka shkruar Maqedonci.

Ministri, tutje ka pohuar se lidhja e fuqishme mes Kosovës dhe Turqisë, do të vazhdoj.

“Bashkëpunimi me kompaninë Baykar që është kthyer në kryefjalën e teknologjisë ushtarake me prodhimet e veta, ka bërë që FSK për një periudhë të shkurtër të ngrisë kapacitetet e saj luftarake në nivelin që garanton mbrojtje territoriale dhe siguri për të gjithë qytetarët tanë”.

Më 16 korrik, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte prezantuar dronët Bayraktar TB-2 të cilët Qeveria e Kosovës i ka blerë nga Turqia.

Çfarë janë dronët Bayraktar?

Të lehtë, ekonomikë dhe të manovrueshëm nga distanca.

Bayraktar janë shndërruar në sinonim të suksesit në betejë, pas manovrimeve efikase të ushtrisë ukrainase kundrejt caqeve ruse.

Lufta në Vietnam, protagonist pati Kallashnikovin, të njohur shkurtimisht si AK-47. Lufta në Afganistan pati Stinger-in, predhën e famshme kundërajrore, të cilën mund ta përdorte çdokush.

Kurse, lufta në Ukrainë, protagonist deri tani, ka pikërisht dronët ushtarakë turq Bayraktar.

Ato, Ukraina i ka blerë nga Ankaraja, pikërisht për t’u mbrojtur nga agresioni i Vladimir Putinit, i cili e mori vendimin radikal më 24 shkurt.

Nëse edhe vetëm gjysma e vrasjeve që Kievi pretendon se i ka shkaktuar Ushtrisë ruse (rreth 12 mijë), e gjithë merita – ose të paktën pjesa kryesore e tyre – është e Bayraktar-ëve.

Falë strukturës së tyre, ato mund të kalojnë çdo linjë mbrojtjeje të rusëve dhe të godasin pikërisht aty ku dëshirohet.

Dronët “Bayraktar”.

Synimi kryesor deri tani, duket se kanë qenë kamionët e logjistikës, transportuesit, cisternat e ndryshme, apo edhe rrugët e komunikimit.

Ai, teknologjikisht nuk është shumë i avancuar, por efektshmëria që ka e bën të shkëlqeje.

I njohur ndryshe si BT2, Bayraktari është një dron bombardues. Operatori, i cili e drejton, është në distancë dhe jeta nuk i cenohet. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se ai rri tërësisht jashtë luftës.

Në terma konkretë, me aq sa është vërtetuar nga luftëra apo aksione të mëparshme me Bayraktar-ët, në Etiopi ka një rast kur me një predhë të vetme të dalë nga ai, u vranë 53 persona.

Droni është “i shkathët”, i vogël, ekonomik, mbi të gjitha, letal! Frenimin e avancimit të Ushtrisë ruse në territorin ukrainas, duhet t’ia dinë atij për falë.

Ai është aq praktik, sa mund të ngrihet në fluturim edhe nga një rrugë e thjeshtë. Kamerat e tij mundësojnë fushëpamje të gjerë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore