Kosova

Maqedonci dhe ambasadori i Bullgarisë diskutojnë për situatën e sigurisë në Kosovë


Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe ambasadori i Bullgarisë, Hristo Gudjev.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci me ambasadorin e Bullgarisë, Hristo Gudjev të enjten kanë diskutuar për situatën e sigurisë në Kosovë.

Përmes një komunikate të lëshuar nga ministri Maqedonci është thënë se po ashtu kanë theksuar nevojën për bashkëpunim.

“Diskutuam për situatën e sigurisë në vend, por dhe thellimin e bashkëpunimit me Bullgarinë në fushën e mbrojtjes”.

“Theksova se jemi të vendosur në rrugëtimin tonë drejt anëtarësimit në NATO dhe BE, për t’i kontribuar stabilitetit dhe paqes përkrah partnerëve tanë strategjik, e në mesin e shteteve aleate sigurisht shohim dhe Bullgarinë”, ka shkruar Maqedonci.

Ndërsa, është pohuar se ambasadori Gudjev ka shprehur gatishmëri për të rritur bashkëpunimin me Kosovën.

“Nga ana e tij ambasadori shprehu gatishmërinë për bashkëpunim duke theksuar se Kosova ka pasur gjithmonë përkrahjen e Bullgarisë duke shërbyer si pjesë e misionit të KFOR-it dhe EULEX-it, por që dhe si misione diplomatike përkrahin integrimin e Kosovës në organizatat Euro-Atlantike”.

“Bashkë për stabilitet dhe paqe!”.

Një grup i armatosur të dielën e 24 shtatorit, kishte sulmuar Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, tanimë heroin Afrim Bunjaku.

Autoritetet e Kosovës kanë akuzuar drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Radojiçiç u arrestua nga autoritetet serbe, mirëpo i njëjti një ditë më pas është liruar nga paraburgimi.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar nga ky sulm, përkundrazi ka shpallur ditë zie kombëtare, për t’i nderuar kështu terroristët e vrarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore