Kosova

Osmani, Kearns-it: Hetimet e kryera nga Kosova konstatojnë se Serbia qëndron pas sulmit terrorist, ato ndërkombëtare po vazhdojnë ende  


Alicia Kearns dhe Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të premten, ka takuar deputeten e Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, Alicia Kearns, njëherësh kryetare e Komisionit e cila po qëndron në një vizitë në Kosovë me ftesë të Osmanit.

Në komunikatën e lëshuar për media nga Zyra e Presidentes, të shtunën, bëhet e ditur se takimi Osmani – Kearns është përqendruar në zhvillimet politike dhe të sigurisë në Kosovë, pas sulmit terrorist dhe aktit të agresionit të Serbisë ndaj Kosovës, më 24 shtator.

“Osmani e ka informuar deputeten britanike me sfidat me të cilat po përballet Kosova dhe ka theksuar rëndësinë e përpjekjeve të unifikuara ndërkombëtare për t’iu kundërvënë akteve të tilla terroriste dhe të agresionit në funksion jo vetëm të sigurisë së qytetarëve të Kosovës, por edhe stabilitetit rajonal e më gjerë”, thekson komunikata

Në këtë kontekst, Osmani, siç thuhet në komunikatë, ka theksuar se hetimet e deritanishme të kryera nga autoritetet vendore, përderisa vazhdojnë hetimet nga partnerët ndërkombëtarë, dëshmojnë se Serbia qëndron pas sulmit të 24 shtatorit në Banjë të Zveçanit, ndaj ka kërkuar që të ndërmerren masa ndëshkuese ndaj Serbisë.

“Më tej, Presidentja Osmani tha se deputetja Kearns ka treguar vazhdimisht përkushtimin e saj për ta mbështetur Kosovën në afirmimin e të vërtetës, ndaj e ka falënderuar në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës”.

Në anën tjetër deputetja Kearns, ka theksuar përkushtimin e saj personal për ta vazhduar mbështetjen ndaj Kosovës, por edhe përkushtimin e Mbretërisë së Bashkuar për të punuar ngushtë në promovimin e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore