Kosova

Rusia e ndanë shqetësimin e njëjtë me Serbinë për Kosovën, thotë Putin   


Ilustrim: Aleksandër Vuçiç dhe Vladimir Putin

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, në fund të vizitës së tij në Kinë në kuadër të forumit të tretë të “Belt and Road”, në një konferencë për media ka folur shumë shkurtimisht edhe për takimin të cilën e ka zhvilluar me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç në Pekin.

Putin ka bërë të ditur se Moska zyrtare ndanë “shqetësimin e njëjtë” me Serbinë për sa i përket çështjes së Kosovës.

“Meqë ra fjala, fola edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili është i shqetësuar për situatën në rajonin e tij, në Serbi. Ne ndajmë shqetësimin e tij”, citohet të ketë thënë Putin.

Ndryshe takimin me presidentin Putin e kishte njoftuar fillimisht vetë Vuçiç.

Në kohën kur e gjithë bota perëndimore është pozicionuar kundrejt Rusisë për shkak të agresionit në Ukrainë, Vuçiç, kishte zgjedhur të thur elozhe ndaj presidentit të këtij shteti, Vladimir Putin.

Vuçiç, në një prononcim të shkurtër për media, ka bërë të ditur se e ka zhvilluar një bisedë të shkurtër me Putin-in, i cili sipas tij “po shpërthen nga vetëbesimi”.

“E pashë Putinin që po shpërthen nga vetëbesimi, ai kishte bisedime të gjata me presidentin kinez Xi dhe kryeministrin hungarez Viktor Orban”, deklaroi ai nga Pekini, i shoqëruar nga ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç e ministri i Mbrojtjes, Milosh Vuçeviç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore