Kosova

Juristët sqarojnë vendimin e Presidentes për mosdekretim të Blerim Isufajt kryeprokuror shteti – A ishte ndërhyrje në sistemin e drejtësisë?


Foto: Albanian Post.

Mosdekretimin e Kryeprokrurorit të Shtetit nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, disa nga juristët e Kosovës po e konsiderojnë si “ndërhyrje” në sistemin e drejtësisë, kurse sipas disa të tjerëve do të ishte moszbatim i rolit kushtetues të presidentes nëse do të dekretohej çdo propozimi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK).

Nga juristët, është thënë se e para e shtetit në konferencën për media që e mbajti të martën do të duhej të jepte arsye konkrete për mosdekretimin e Kryeprokurorit të Shtetit në këtë rast të Blerim Isufajt.

“Shkelje, ndërhyrje në sistemin e drejtësisë”

Në një përgjigje të shkurt për Albanian Post juristi Mentor Beqiri, e ka konsideruar si shkelje të rregullores këtë veprim të presidentes e cila po refuzon të emërojë Kryeprokurorin e Shtetit.

“Parimisht, është shkelje apo ndërhyrje në sistemin e drejtësisë veçanërisht kur nuk ka arsye konkrete se pse dekretimi nuk është duke u ekzekutuar”, thotë Beqiri për AP.

Sipas juristit, Arbër Jashari, roli i presidentes në emërimin e kryeprokurorit ka qenë më shumë “formal dhe ceremonial”.

Prandaj, konsideron se me këtë veprim presidentja ka dalë jashtë mandatit të saj.

“Natyrisht që vendimi i sotëm i Presidentes është në kundërshtim me vullnetin e Këshillit Prokurorial, si organ kushtetues dhe i pavarur, në kompetencë të së cilit është edhe zgjedhja e kryeprokurorit të shtetit”.

“Konsiderojë se roli i Presidentes, në këtë fazë më shumë ka qenë formal dhe cermonial, dhe se më këtë veprim, presidentja ka dalë jashtë mandatit qe ia ka dhënë Kushtetuta”, thotë Jashari për AP.

Këshilli Prokurorial i Kosovës.

“Presidentja duhet të sigurohet që vendimet e saja mbrojnë parimet e sistemit prokurorial”

Por, jo i të njëjtit mendim është edhe drejtori i Institutit të Kosovës të Drejtësisë, Ehat Miftaraj, pasi nga këndvështrimi i tij është e drejtë e presidentes që të mos dekretojw propozimin e KPK-së.

“Në kuptim të parimeve mbi të cilat udhëhiqet sistemi prokurorial, presidentja me rastin e ushtrimit të kompetencave të saja, të cilat ndërlidhen me sistemin prokurorial, duhet të sigurojë që vendimet e saja garantojnë jetësimin e parimeve mbi të cilat funksionon sistemi prokurorial, të cilat parashihen me nenin 110(1) të Kushtetutës”, thotë Miftaraj për Albanian Post.

Derisa ka deklaruar se refuzimi për të dekretuar për Kryeprokuror të ri të Shtetit, Blerim Isufajn, s’mund të bëhet në mënyrë arbitrare.

“Presidentja nuk mund të refuzojë një kandidat në mënyrë arbitrare. Mirëpo, në kuptim të rolit që ka, Presidentja duhet të sigurohet që vendimet e saja, mbrojnë parimet e sistemit prokurorial. Në kuptim të mbrojtjes së këtyre parimeve, duhet theksuar se pozita e Kryeprokurorit të Shtetit është pozita kyçe brenda sistemit prokurorial”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Miftaraj, tutje sqaron edhe rëndësinë e Kryeprokurorit të Shtetit, duke pohuar se rëndësia e këtij posti shprehet edhe në Kushtetutë, për faktin se për dallim nga Kryeprokurorët e tjerë, Kryeprokurori i Shtetit kërkon dekretim nga Presidentja, si garantuese e funksionimit demokratik të institucioneve.

“Për më tepër, çështja e Kryeprokurorit të Shtetit edhe teknikisht është e veçuar, për shkak se rregullohet me një paragraf të veçantë kushtetues, që nënkupton se duhet të ketë trajtim të veçantë”.

“Në këtë situatë, Presidentja ka për obligim që të sigurojë se procesi për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit reflekton parimet mbi të cilat funksionon sistemi prokurorial. Do të ishte mos zbatim i rolit të Presidentes nëse symbyllurazi do të dekretonte çdo propozim të KPK e nuk do të ushtronte rolin e saj kushtetues”.

Me ligjin në Kosovë, kërkohet që kryeprokurori të dekretohet nga presidenti i shtetit.

Në garë për postin e Kryeprokurorit të Shtetit, përveç Blerim Isufajt, kanë qenë edhe Armend Hamiti, Lulzim Sylejmani, Shqipdon Fazliu dhe Kujtim Munishi.

Kryeprokurorit të deritashëm të Shtetit, Aleksandër Lumezi, i ka skaduar mandati më 21 prill, 2022.

Aktualisht, ushtrues i detyrës është Besim Kelmendi, i cili i ka kompetencat e plota të Kryeprokurorit të Shtetit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore