Kosova

LVV bojkotoi seancën për Policinë, Zemaj: Turp, është jo e moralshme që të përsëritën lotët e krokodilit për policët që humbin jetën gjatë detyrës


Armend Zemaj

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, e ka konsideruar për keqardhje mungesën e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovë në të cilën do të shqyrtohet propozim-rezoluta për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila në një konferencë të jashtëzakonshme për media, pak para fillimit të seancës së jashtëzakonshme e thirrur nga Partia Demokratike e Kosovës për të enjten, bërit të ditur se partia në pushtet nuk do të marr pjesë.

E këtë bojkotim, Zemaj e quajti si të turpshëm marrë për bazë temën për të cilin është thirrur debati.

“Është shumë jo e moralshme që të përsëritën fotografitë e njëjta, gjykimet e njëjta, lotët e krokodilit për policët që humbin jetën duke mbrojtur sovranitetin dhe integritetin”, tha ai gjatë fjalimit të tij në Kuvendin e Kosovës.

Këtë sjellje, sipas Zemajt, partia në pushtet po dëshiron ta shndërrojë në normë në praktikë.

“Është praktikë e keqe dhe e mbrapsht dhe nuk i kontribuon as zhvillimit të demokracisë por as zhvillimit të vendit”.

“Kjo sjellje nuk është vetëm në interes të opozitës dhe më së paku është në interes të pozitës, kur pamundësohet qoftë edhe një vendimmarrje kundër apo për dhe të shihet e vërteta ose të ketë një gjykim tjetër për temën”, shtoi ai.

Gjatë fjalimit të tij Zemaj e ka pyetur mazhorancën se a është e pranueshme për ta peticioni i më shumë se 62 për qind të Policëve të Kosovës i dërguar dhe i nënshkruar në Kuvendin e Kosovës, meqë kërkesa e opozitës për një Rezolutë për Policinë e Kosovës, është e papranueshme.

“A është e pranueshme për kushte të punës duke filluar nga ato elementare cilat fatkeqësisht mungojnë sot e tri vite nën përkujdesin e kësaj qeverie.  Dhe a duhet të kemi vetëm humbje të jetëve të policëve që atëherë të bie në ndërgjegjen e ekzekutivit përmirësimi i kushteve dhe përkrahja e Policisë së Kosovës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore