Kosova

LVV s’merr pjesë në seancën e jashtëzakonshme për Policinë: Synimi i opozitës është pushteti dhe jo interesi i shtetit


Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje

Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje nuk do të marrë pjesë në seancë e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovë në të cilën do të shqyrtohet propozim-rezoluta për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës.

Kështu të paktën ka bërë të ditur Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila në një konferencë të jashtëzkaonshme për media, pak para fillimit të seancës së jashtëzakonshme e thirrur nga Partia Demokratike e Kosovës për të enjten.

“Që nga java e kaluar PDK ka tentuar që të ndryshojë rendin e ditës në seancë për të futur një pikë të cilën ata nuk e kanë pasur të dorëzuar ende me shkrim që ka të bëjë me një rezolutë për kushtet dhe legjislacionit të cilët ata i konsiderojnë tash të nevojshme për t’u kaluar për Policinë e Kosovës”, tha fillimisht ajo.

Tendenca dhe qëllimi i PDK-së dhe e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, sipas Kusari – Lilas, nuk ka të bëjë me gjendjen apo statusin e Policisë së Kosovës, por ka të bëjë vetëm me arsyetimin dhe argumentimin e tyre se “kinse Qeveria nuk është e angazhuar sa duhet”.

“Synimi i tyre i vetëm është pushteti dhe jo interesi i shtetit”, shtoi ajo.

Kusari – Lila në këtë konferencë të jashtëzakonshme për media ka fajësuar edhe partitë opozitare për mos-votim të Marrëveshjeve Ndërkombëtare, nga të cilat, sipas saj do të mund të përfitonin të gjithë kategoritë shoqërore, përshirë edhe Policinë e Kosovë.

“Ne sot po qëndrojmë në mbi 400 milionë euro marrëveshje ndërkombëtare të pa votuara, disa prej të cilave janë edhe mbështetje e drejtpërdrejtë të buxhetit të Republikës së Kosovës”, tha ajo duke shtuar se “përderisa opozita e refuzon të votojë, ka kërkesa të cilat synimin e vetëm e kanë dëmtimin e interesit të shtetit vetëm për çmimin e tyre të ardhjes në pushtet”.

Ndryshe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, të mërkurën potencoi se forcimi dhe mbështetja e Policisë duhet të jetë prioritet shtetëror, e kjo sipas tij, duhet të bëhet nëpërmjet votimit në Kuvend.

“Nesër kemi thirrur seancë të jashtëzakonshme për ta miratuar këtë Rezolutë. Policët tonë meritojnë shtesat për rrezikshmërinë, sigurimin shëndetësor dhe miratimin e Ligjit për pensionim të parakohshëm. I ftoj të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës që nesër, me votën e tyre, të dëshmojnë se e mbështesin dhe janë me Policinë e Kosovës – sepse vetëm fjalët dhe postimet në rrjetet sociale nuk mjaftojnë”, shkroi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore