Arrestohen dy persona nga Gjykata Speciale, dyshohen se provuan të bindnin një dëshmitar që të mos dëshmojë në Hagë
Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) përmes një komunikate për media të premten, ka njoftuar se ka arrestuar Ismet Bahtjarin dhe Sabit Januzin, kjo pas një fletarresti të lëshuar nga Gjyqtari i Procedurës Paraprake i Dhomave të Specializuara.
ZPS ka bërë të ditur se Bahtjari dhe Januzi janë dërguar në qendrën e paraburgimit të DhSK-së në Hagë, ku do të dalin para gjykatësit së shpejti.
Sipas ZPS-së, Bahtjari dhe Januzi janë përpjekur që ta “bindnin një dëshmitar të mos dëshmonte” në Hagë.
“Bahtjari dhe Januzi u arrestuan në lidhje me krime kundër administrimit të drejtësisë, përfshirë frikësimin gjatë procedurave penale, sipas nenit 387 të Kodit Penal të Kosovës (KPK) 2019, Kodi nr. 06/L-074, dhe pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare brenda kuptimit të nenit 401(1), (2) dhe (5) të KPK-së, në shkelje të nenit 15(2) të Ligjit nr. 05/L-53 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”, thuhet në njoftim.
“Gjykatësi i Procedurës Paraprake ka vendosur se ka dyshime të mirë-bazuara se Bahtjari dhe Januzi u përpoqën të bindin një dëshmitar që të mos japë dëshmi në procedurat e Dhomave të Specializuara”.
Në arrestimin e tyre kanë ndihmuar Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe Policia e Kosovës.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar e merr jashtëzakonisht seriozisht frikësimin e dëshmitarëve, hakmarrjen ndaj dëshmitarëve, dhe pengimin e drejtësisë, dhe do të vazhdojë të hetojë e ndjekë penalisht cilindo dhe të gjithë ata që përfshihen në çdo rast”.
Për çka po akuzohen Thaçi dhe të tjerët?
Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Që nga nëntori i vitit 2020 ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.
Sipas aktakuzës fillestare, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.
Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë.
Më 10 maj, Prokuroria e Specializuar ka paraqitur tri kategori ndryshimesh në aktakuzën ndaj Thaçit dhe ish-udhëheqësve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas versionit të ndryshuar të aktakuzës, në fshatrat Budakovë dhe Semetishtë të Suharekës, dyshohet që ndërmjet 4 qershorit 1998 dhe shtatorit 1998, të paktën 12 persona janë ndaluar në qendra ndalimi.
Po ashtu, në aktakuzë thuhet se në fund në fund të qershorit dhe fillim të korrikut të vitit 1999,pjesëtarë të UÇK-së ndaluan “të paktën tre persona pa proces të rregullt ligjor në një seli të UÇK-së, të vendosur në ndërtesën e një ish-shkolle dhe konvikti në Gjilan”.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Mbrojtja e Selimit i kërkoi trupit gjykues ta paralajmërojë Prokurorinë të mos ndikojë në dëshmitarë
-
Halim Berisha, dëshmitari i radhës në rastin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë
-
Dëshmitari i 86-të në Speciale dëshmon në seancë të mbyllur
-
Specialja i largon 11 dëshmitarë dhe shtatë të tjerë dëshmojnë me shkrim ndaj ish krerëve të UÇK-së
Lajmet kryesore
-
Jo më qendra emigrantësh në Shqipëri, Rama: Marrëveshja është ekskluzive për Italinë
-
Akuzohen për vjedhje, AMP ekzekuton masat e sigurisë për 22 punonjës policie në Kukës
-
Çfarë nënkupton zgjedhja e Marta Kos si Komisionere e Zgjerimit?
-
Kurti për doganierin e EULEX-it të vrarë në Veri: U qëllua me gjakftohtësi