Kosova

Gërvalla: S’dihet kur do të ulemi në tavolinë për dialog me Serbinë – varet nga reagimi i Bashkësisë Ndërkombëtare


Donika Gërvalla.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, njëherësh edhe zëvendëskryeministrja e Kosovës, Donika Gërvalla, ka deklaruar se zgjidhja e vetme mes Kosovës dhe Serbisë është që të vazhdohet me dialogun, por që kjo do të varet tashmë nga reagimi i Bashkësisë Ndërkombëtare.

Gërvalla, në një konferencë për media para gazetarëve në Tiranë ka ripërsëritur se nëse Serbia do të kaloj pa sekuenca, atëherë vazhdimi i negociatave do të jetë i pamundur.

“Se si do të vazhdoj procesi i negociatave me Serbinë, natyrisht që zgjidhja do të jetë përmes dialogut por se cili do të jetë momenti që ne do të ulemi në tavolinë varet shumë nga reagimi i Bashkësisë Ndërkombëtare. Sepse nëse Bashkësia Ndërkombëtare, e le Serbinë të kaloj pa sekuenca nga një sulm i hapur armiqësor atëherë ne e shohim të pamundur vazhdimin e negociatave”.

Foto në kuadër të takimit të ministerialit të ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlinit në Tiranë.

Teksa, ka thënë se janë të dëshpëruar nga Emisari Special i Bashkimit Evropian (BE), Miroslav Lajçak, por që s’mund t’i tregojnë Bashkimit Evropian se kë duhet ta mbaj në atë pozitë.

“Ne nuk kemi aktorë të preferuar as jo të preferuar. Është e vërtetë që besimi ka humbur tashmë nga ndërmjetësuesin aktual, sepse rrjedhat e fundit të negociatave kanë treguar se është i njëanshëm procesi. Por, nuk jemi ne që duhet t’i tregojmë BE-së as kë duhet ta mbaj as kë jo, ajo çfarë ne kërkojmë është që BE-ja ta realizoj këtë proces në mënyrë të drejtë”.

Ajo tutje është pyetur edhe për refuzimin e Ivica Daçiç, që t’i bashkohet fotos familjare në Ministerialin e ministrave të Jashtëm për Procesin e Berlinit, që janë mbledhur në Tiranë.

Gërvalla, ka thënë se s’do të merret me këtë çështje, pasi që Kosova ka probleme të tjera aktualisht.

“Unë nuk do të komentoja vendimet e ministrit të Jashtëm të Serbisë, sepse ne kemi probleme më të mëdha sesa pjesëmarrja e tij në një foto të përgjithshme. Serbia ka rrugën e vet, Kosova ka rrugën e saj”, ka thënë ajo.

Një grup i armatosur terrorist të dielën e 24 shtatorit, kishte sulmuar Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Autoritetet e Kosovës kanë akuzuar drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Radojiçiç u arrestua të martën nga autoritetet serbe, mirëpo i njëjti një ditë më pas është liruar nga paraburgimi.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar nga ky sulm, përkundrazi ka shpallur ditë zie kombëtare, për t’i nderuar kështu terroristët e vrarë.

Përveç kësaj, Beogradi zyrtar, pas sulmit terrorist, dislokoi një numër të madh të trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.

Ky veprim i Serbisë nxiti reagimin e bashkësisë ndërkombëtare, të cilët kërkuan që menjëherë të zvogëlohet numri i trupave ushtarake.

Pas këtyre thirrjeve të qarta të ndërkombëtarëve, Beogradi njoftoi se ka filluar reduktimin e trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore