Kosova

Radojiçiç lirohet, i ndalohet hyrja në Kosovë


Milan Radojiçiç

Një ditë pas arrestimit në Serbi, udhëheqësi i grupit terrorist që sulmoi Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, Milan Radojiçiç, është liruar nga paraburgimi.

Siç thuhet në njoftimin e Gjykatës së Lartë në Beograd, gjyqtari për procedurën paraprake, “pasi dëgjoi të pandehurin Milan Radojiçiç për arsyet e caktimit të paraburgimit, hodhi poshtë propozimin e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd për të caktuar paraburgim për shkak të rrezikut të arratisjes”.

“Në të njëjtën kohë, sipas të pandehurit Radojiçiç, i është caktuar masa e ndalimit për t’u larguar nga vendbanimi, e cila i ka ndaluar të largohet nga territori i Republikës së Serbisë pa miratimin e gjykatës dhe i është ndaluar të shkojë në territorin e Kosovës, dhe është urdhëruar që çdo datë 1 dhe 15 të muajit të paraqitet në stacionin policor kompetent në stacion”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, nga kjo gjykatë kanë njoftuar se terroristit Radojiçiç, i është konfiskuar dokumenti i udhëtimit, pra pasaporta e Serbisë, “ndërsa i pandehuri është paralajmëruar se mund t’i shqiptohet paraburgimi nëse i shkel ndalesat dhe detyrimet”.

Lirimi i tij vjen vetëm një ditë pasi që u arrestua nga Drejtoria e Policisë Kriminale në Serbi, ku i ishte caktuar masa e ndalimit për 48 orë – masë e cila nuk u zbatua.

Arrestimi dhe lirimi i kriminelit Radojiçiç, vjen pak ditë pasi që ai e mori përgjegjësinë për sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës, ku si pasojë një polic mbeti i vrarë, heroi Afrim Bunjaku.

Radojiçiç, sipas njoftimit të Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd, akuzohet se ka kryer vepra penale që lidhen me “prodhim, mbajtje dhe trafikim pa leje të armëve të zjarrit dhe lëndëve plasëse” dhe “vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme” të dënueshme deri 12 vjet heqje lirie sipas Kodit Penal të shtetit të Serbisë.

Armët janë dorëzuar në territorin e qytetit të Beogradit – më së shpeshti në paralagjet Bubanj Potok dhe Vërçin – thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd, ndërsa më pas, ato armë sipas pretendimeve të tyre “ai i ka transportuar dhe ruajtur në vende të pacaktuara në territorin e Kosovës, ku i ka fshehur në objekte të braktisura dhe pyje”.

Milan Radojiçiç – ish-nënkryetar i Listës Serbe, i dorëhequr së voni – kishte udhëhequr terroristët serbë më 24 shtator.

Për ta vërtetuar pjesëmarrjen e Radojiçiç-it, fillimisht Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kishte publikuar disa pamje të filmuara nga droni, ku vërehej qartë prezenca e tij në hapësirat e Manastirit të Banjskës, para se të largohej për në Serbi.

Vnedi ku kishte qendruar Radojiçiç para se te largohej per ne Serbi

Ndërsa, para disa ditëve, do të ishte edhe vet Radojiçiç që përmes një letre të lexuar nga avokati i tij, do të pranonte se kishte qenë në krye të terroristëve që sulmuan Policinë e Kosovës.

Përmes asaj letre, terroristi Radojiçiç, përpiqej që ta shfajësonte Serbinë për sulmin terrorist dhe fajin ta merrte për vete.

“Po i njoftoj të gjithë të përndjekësit e popullit serb, që nga (Albin) Kurti e deri te ndihmësit e tij të shumtë të huaj, se personalisht i kam bërë të gjitha përgatitjet logjistike për mbrojtjen e popullit tonë kundër okupatorit. Ky akt i imi nuk ka pasur asnjë karakter tjetër, asnjë qëllim dhe nuk ka të bëjë fare me përfshirjen time të mëparshme politike”, thoshte në letrën e tij.

Tutje, njeriu i besuar i kreut serb, Aleksandër Vuçiç, pretendonte se nuk e ka njoftuar askënd nga shteti i Serbisë.

“Për këtë nuk kam njoftuar askënd nga strukturat qeveritare të Republikës së Serbisë, as nga strukturat politike lokale nga veriu i Kosovës dhe as kam marrë ndihmë prej tyre”.

Nga ana tjetër, të gjitha pronat që krimineli Radojiçiç i ka pasur në Kosovë, specifikisht në Veri, iu janë bastisur dhe iu kanë kanë konfiskuar disa dokumentacione, veçanërisht tek vila e tij e ndërtuar buzë liqenit të Ujmanit.

Ndërkaq, autoritet kosovare kanë kërkuar ekstradimin e Radojiçiç-it në Kosovë.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë të martën se po e presin vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për të kërkuar zyrtarisht fletë-arrest ndërkombëtar për të.

“Legjislacioni vendor dhe konventat ndërkombëtare parashohin që gjykimi ndaj terroristit Radojiçiç të bëhet në Republikën e Kosovës, sepse sulmi ka ndodhur në territorin e saj. Para pak ditësh pamë një bastisje në pronat e terroristit Radojiçiç, po ashtu do të ketë edhe konfiskime të tjera të pasurisë së tij”, tha Haxhiu për Ekonomia Online.

Haxhiu thekson se është e vendosur që të kërkojë dorëzimin e Radojeçiç-it në Kosovë, por është vetëdijshme që do të ketë vështirësi, meqë sipas saj, “vetë Serbia e ka dirigjuar sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit”.

“Nuk ka përgjegjësi Serbia që ta hetojë sulmin që ka ndodhur në Kosovë. Në fakt, partnerët tanë duhet të na ndihmojnë për një hetim ndërkombëtar mbi ato bazat ushtarake ku trajnohen terroristët, në Serbi pra”.

Po ashtu ajo ka potencuar se do të ketë përpjekje maksimale që të gjithë terroristët që ishin futur nga Serbia në Kosovë të identifikohen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore