Kosova

Radoiçiçi ngarkohet me akuza të dënueshme deri në 12 vjet burg


Millan Radoiçiç

Millan Radoiçiç, kryekrimineli në arrati dhe përgjegjësi për organizimin e sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit në pjesën veriore të Kosovës të banuar kryesisht me serbë etnikë, më 24 shtator,  mund të dënohet me 12 vjet burg, sipas Kodit Penal të Serbisë, transmeton rrjeti ballkanik i lajmeve “N1”.

Radoiçiç, sipas njoftimit të Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd, akuzohet se ka kryer vepra penale që lidhen me “prodhim, mbajtje dhe trafikim pa leje të armëve të zjarrit dhe lëndëve plasëse” dhe “vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme” të dënueshme deri 12 vjet heqje lirie.

Ai dyshohet se “ka blerë armë, municione dhe mjete shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese” nga Tuzlla – qyteti i tretë më i madh në Bosnje-Hercegovinë – nga janari i vitit 2023 deri në ditën e sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator, ku është vrarë një zyrtar policor dhe janë plagosur dy të tjerë.

Armët janë dorëzuar në territorin e qytetit të Beogradit – më së shpeshti në paralagjet Bubanj Potok dhe Vërçin – thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Lartë Publike, ndërsa më pas, ato armë “ai i ka transportuar dhe ruajtur në vende të pacaktuara në territorin e Kosovës, ku i ka fshehur në objekte të braktisura dhe pyje”.

Radojçiçi i cili ka mbështetjen e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç dhe autoriteteve të tjera në Beograd, kërkohet nga Qeveria e Kosovës për një numër veprash penale dhe është gjithashtu në “listën e zezë” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Britanisë së Madhe për përfshirje në krimin e organizuar ndërkombëtar.

Arrestohet Milan Radojiçiç, i caktohet masa e paraburgimit për 48 orë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore