Kosova

Maqedonci: Dorasit janë kriminelë të dirigjuar nga Beogradi


Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka dënuar sulmin terrorist ndaj pjesëtareve të Policisë së Kosovës, duke u shprehur i bindur se dorasitë s’mund të jetë ndokush tjetër, përveç se kriminelë të dirigjuar nga Beogradi.

Maqedonci, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka thënë se veprimet e tilla nuk do të ndalojnë organet e sigurisë për të kryer deytrën e tyre.

“Dorasit sigurisht se nuk mund të jenë tjetër përveç se kriminel të dirigjuar nga Beogradi, me qëllim destabilizimin e vendit”.

“Veprime të tilla për eskalim të situatës nuk do zmbrapsin organet e sigurisë për të kryer detyrën e tyre, dhe as nuk do na bëjnë të ndryshojmë qëndrim në raport me Serbinë kur bëhet fjalë për interesat tona shtetërore”, ka shkruar Maqedonci.

Ai është shprehur se mbrojtja e Kosovës është obligim, prandaj edhe kriminelët duhet të dënohen.

“Siguria e qytetarëve, mbrojtja e tërësisë territoriale të Republikës së Kosovës është obligim, detyrë mbi çdo detyrë tjetër, andaj dhe kriminelët do të dënohen dhe grupet kriminale polico-ushtarake serbe do të shkatërrohen”.

“Ngushëllime familjes së policit të vrarë, Rreshter Afrim Bunjaku, dhe shërim të shpejtë policit të plagosur”.

Si ndodhi ngjarja?

Policia e Kosovës, në orët e pas natës me një njoftim zyrtar ka shpjeguar se si ndodhi ngjarja e rëndë ku mbeti i vdekur një polic dhe dy tjetrë të plagosur.

Policia ka thënë se gjatë realizimit të detyrave policore, rreth orës 02:34 në Mitrovicë Veri, njësia për ndërhyrje të shpejtë e policisë kufitare ka vërejtur se në hyrje të fshatit Bajnskë, në urë janë vendosur dy mjetet të rënda kamion (pa targa) dhe hyrja në këtë fshat përmes urës nuk mund të bëhej, pasi e njëjta është bllokuar.

Njësitë e rendit në Zveqan, pas pranimit të informacionit i janë përgjigjur rastit dhe janë nisur me tri njësi në drejtim të lokacionit.

Sa kanë mbërritur në afërsi të vendit ku është raportuar bllokada, njësitë policore kanë hasur në rezistencë ku nga disa pozicione të ndryshme janë gjuajtur me arsenal armësh të zjarrit, përfshirë këtu edhe me granata dore dhe zollë, ku si pasojë e gjuajtjeve janë qëlluar me armë zjarri dy zyrtarë policorë.

Njësitet policore në vetëmbrojtje i janë përgjigjur sulmit dhe kanë arritur që ta zmbrapsin sulmin fillestar për të krijuar kushte për dhënien e ndihmës dhe tërheqjen e kolegëve të qëlluar me armë zjarri.

Policët janë tërhequr nga lokacioni dhe janë transportuar në Spitalin Rajonal në Mitrovicë Jugu, ku nga mjeku kujdestar është konstatuar vdekja e njërit nga zyrtarët policor të plagosur rëndë, ndërsa dy zyrtarë të tjerë, njëri i plagosur dhe tjetri i lënduar, sipas mjekëve janë jashtë rrezikut për jetë dhe të njëjtit janë transportuar në SHSKUK për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.

“Të gjitha njësitë policore relevante sipas profileve janë aktivizuar në teren, të njëjtat kohë pas kohe janë duke u sulmuar me armë zjarri nga pozicione të ndryshme, nga grupe të organizuara dhe të armatosura”.

Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente dhe organet e drejtësisë, po ndërmerr veprimet e saja me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike si dhe sjelljes para organeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore