Kosova

Deputeti ukrainas kritikon Zelensky-in për takim me Vuçiç-in: S’e sjell dot Serbinë në anën tonë, serbët aleatë të Rusisë


Oleksiy Goncharenko

Deputeti Ukrainas, Oleksiy Goncharenko, një mbështetës i fuqishëm i pavarësisë së Kosovës, i cili muaj më parë nisi një peticion me një kërkesë të qartë – njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Kievi zyrtar, ka reaguar pas takimit që presidenti i vendit të tij ka realizuar me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç të martën në Athinë.

Pas një darke joformale të hënën në mbrëmje në Athinë në mes të liderëve të Ballkanit Perëndimor në prani të përfaqësuesve të Bashkimit Evropian dhe presidentit të Ukrainës e Moldavisë për nder të 20-vjetorit të Samitit të Selanikut, presidenti Vuçiç ka takuar homologun e tij nga Ukraina, Volodymyr Zelenskyn me të cilin ndër të tjera siç ka njoftuar ai, është diskutuar edhe çështja e Kosovës.

Në një konferencë për media Vuçiç tha se përshtypja e tij pas bisedës me Zelenskyn është se Ukraina nuk do të ketë ndonjë ndryshim pozicioni në raport me pavarësinë e Kosovës.

“Ia shpjegova situatën në lidhje me Kosovën. Nuk mendoj se do të ketë ndonjë ndryshim në qëndrimin e Ukrainës në lidhje me integritetin tonë territorial. Ne e mbështetëm Ukrainën në rrugën e saj evropiane”, tha Vuçiç duke shtuar se “ajo që unë mendoj është më shumë se të menduarit, jam pothuajse i bindur se nuk do të ketë asnjë ndryshim”.

Megjithatë sipas deputetit Goncharenko Zelensky nuk duhet të komprometojë parimet e Ukrainës dhe duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës, meqë sipas tij Serbia është aleate e Rusisë.

“Ne nuk do të mund ta tërheqim Serbinë në anën tonë. Dhe kjo nuk është për shkak se ne jemi shumë të këqij, por sepse popullsia e Serbisë mbështet Rusinë në një shumicë të pabesueshme. A duhet të takohemi atëherë? Po sigurisht. A duhet të komprometojmë parimet tona? Jo. Ukraina duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në platformën e ri-emëruar rishtazi X.

Me deklaratën e deputetit Ukrainës është pajtuar edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, e cila ndër të tjera ka bërë të ditur se beson se takimi i Vuçiç-it me Zelenskyn është realizuar mbi faktin se presidenti serb ka dashur ta bindë Zelenskyn për të mos e njohur pavarësinë e Kosovës.

“Ka shumë të ngjarë që Vuçiç të ketë rënë dakord që të takohet me Zelenskyn për të ushtruar presion mbi Ukrainën për mosnjohjen e Kosovës. Unë shpresoj që Zelensky të kuptojë se çfarë rreziku politik mund të sjellë një marrëveshje e tillë. Pavarësia dhe stabiliteti i Kosovës janë gjithashtu në interes të Ukrainës”, ka shkruar Von Cramon në llogarinë e saj në platformën e ri-emëruar rishtazi X.

Për takimin në fjalë ka reaguar edhe profesori amerikan, Edward Joseph, duke këshilluar presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky që të mos e zgjasë takimin me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç në Greqi dhe të kthehet në Ukrainë dhe ta njehë Kosovën.

Joseph ka theksuar se Rusia ashtu si edhe Serbia e shfrytëzojnë Kosovën për të mbështetur agresionin kundër Ukrainës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore