Lajme

Kryemadhi në Gramsh: Kodi zgjedhor që ka bërë Rama, ka favorizuar LSI-në


🕒12:00

Kryemadhi ka vazhduar takimet dhe prezantimet e kandidatëve në Gramsh. Ajo ka prezantuar kandidatët për deputet Vladimir Muka dhe Saimir Kumrija.

Ajo tha se Kodi Zgjedhor iu jep mundësinë të gjithëve për të qenë pjesë e strukturës. Sipas Kryemadhit, Edi Rama e bëri Kodin Zgjedhor që të dëmtonte opozitën, “por ky Kod Zgjedhor ka favorizuar LSI-në, e cila ka 153 kandidatë, të cilët kanë shanset dhe mundësitë që të tërheqin votat”.

Pra, sipas liderës së LSI-së, janë kandidatët, të cilët përfshihen me kapacitetet e tyre, me angazhimet e tyre personale, të cilat sjellin jo vetëm vota të tjera, por edhe angazhimin e shumë vlerave të shoqërisë për të cilat ne kemi nevojë.

🕒09:00

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), Monika Kryemadhi, ka vijuar prezantimet e kandidatëve për deputet nëpër qarqe.

Më 27 mars, ajo ka shkuar në Belsh, ku dhe ka prezantuar kandidatin Dylber Dervishi.

Ajo ka cekur problemet kryesore të kësaj bashkie, si ato të mungesës së punësimit, ekonominë e dobët, mungesën e sistemit arsimor dhe atë shëndetësor.

Fermerët, sipas Kryemadhit, nuk po marrin akoma pagën për prodhimin dhe shitjen e duhanit, ndonëse shumicën e të ardhurave e bazojnë te ky sektor.

Kryetarja e LSI-së e ka krahasuar Belshin me zonën e Komos, e cila është një nga zonat më të pasura, banojnë familjet më të pasuara, në shtetin fqinj Itali. Ajo tha se bashkia Belsh “hyn te bashkitë më të pasura për sa u përket burimeve natyrore, por është një nga më të varfrat”.

Kryemadhi premtoi investime në bujqësi, turizëm, dhe investime në kanalet kulluese dhe ato vaditëse.

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, ngriti edhe problemin e ndihmave ekonomike, ku, sipas të dhënave, përfitojnë 2 mijë familje të bashkisë së Belshit. Ajo tha që do të mundësojmë punësimin në mënyrë që të mos largohen të rinjtë.

“Prandaj ne jemi të fokusuar tek rikthimi i të rinjve dhe krijimi i hapësirave të punësimit të tyre. Ndihmën për fermerin, kartën e fermerit, subvencionin për bujqësinë, krijimin e hapësirave, ndihmesën për familjen, ndihmesën për të rinjtë dhe shkollimin e tyre”.

Kryemadhi i quan si mashtrime dhe gënjeshtra investimet apo projektet e bëra nga kryeministri.  Ajo tha se Kina nuk ka nevojë të bëjë fabrikë në Shqipëri për të prodhuar vaksinat e veta dhe se ndërtimi i aeroporteve është i kotë pasi njerëzit “nuk kanë mundësi për t’i hipur avionit e jo më për të bërë udhëtime turistike që thotë ai”.

Numri një e LSI-së deklaroi që asnjë nga premtimet e kryeministrit Rama, të bëra në 2013 nuk është mbajtur. Dhe po kështu, deklaroi ajo, populli duhet të ndëshkojë me votë “çdo institucion, çdo shtet që i mban në rresht dhe i terrorizon familjet e varfra, të sëmurët që kanë nevojë për kemp dhe këdo tjetër”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore