Kosova

Dokumenti i nënshkruar nga Kurti që mundësoi procedurën e kundërligjshme të blerjes së grurit, vajit dhe sheqerit


Pas publikimit të dosjes së Prokurorisë Speciale për rastin e keqpërdorimeve me Rezervat Shtetërore është kuptuar se keqpërdorimet kishin filluar kur zyrtari Hafiz Gara adreson te zyrtari tjetër i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica, kërkesën për përjashtim të procedurave të prokurimit “edhe pse e ka ditur se kërkesa e tillë nuk ka bazë ligjore, e cila më pas i është adresuar Qeverisë së Kosovës, me qëllim për ta kufizuar konkurrencën dhe fshehur shkeljen e ligjit”.

Këtë kërkesë të kundërligjshme me 26 shkurt 2022 e kishte bërë vendim qeveritar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Siç tregon dokumenti që është i publikuar edhe në faqen zyrtare të Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti kishte marrë vendim që të “aprovohet kërkesa e Departamentit të Rezervave Shtetërore nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, që t’u mundësohet përjashtimi nga procedurat e prokurimit për furnizim me produkte të Rezervës Shtetërore… duke e klasifikuar lëndën e kontratës si sekret”.

Ky vendim obligonte MINT-in që ta zbatonte dhe vendimi hynte në fuqi ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.

May be an image of text
Vendimi i nenshkruar nga Albin Kurti

Duke pasur këtë mundësi që të bëjnë procedurat në proces të fshehur ndodhi edhe keqpërdorimi me mallrat dhe përkundër se u dhanë 600 mijë euro Kosova asnjëherë nuk pranoi 52.5 tonë grurë, 200 mijë litra vaj dhe 120 mijë kilogramë sheqer.

Sipas dosjes së Prokurorisë Speciale këto janë vetëm keqpërdorimet që dihen deri më tani, por “shuma e saktë e dëmit, vlerësohet të jetë shumë më e lartë se kjo, por që saktësisht do të përcaktohet pas verifikimeve dhe angazhimit të ekspertit përkatës”.

Me vendimin për përjashtim nga procedurat e prokurimit, Kurti kishte mundësuar që ministrja të bënte negociatat në procedurë të fshehur me biznesmenë dhe kompani të caktuara dhe këtu futet në lojë personi i afërm me Kurtin, biznesmeni Ridvan Muharremi.

Ai u ftua privatisht nga ministrja – siç e sqaroi këtë të shtunë avokati i tij – dhe iu dha qasje në paratë e rezervave, duke ia lënë në dorë edhe përzgjedhjen e kompanive me të cilat do të bënte tregti.

Dosja e prokurorisë sqaron se Muharremi dyshohet për “dhënie të ndihmës në kryerje të veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Për më tepër, në vend të ndonjë zyrtari të ministrisë, negocimin me kompani e kishte bërë Muharremi. E gjithë kjo me vetë kërkesën e ministrisë.

Vendimi i Kurtit gjithashtu ishte bërë mburojë edhe për ministrinë kur mediat kërkonin të dinin më shumë për situatën me mallrat që nuk po vinin.

“Është sekret shtetëror” ishte arsyetimi që jepte ministria sa herë që pyeteshin nga gazetarët.

Kurti akoma nuk është deklaruar se përse vendosi t’iu shmanget procedurave të rregullta dhe ta kalonte gjithë procesin në linjë sekrete.

Në një vido-koment të tij në Facebook ai ka refuzuar të marrë përgjegjësi, duke i quajtur arrestimet e zyrtarëve të MINT dhe biznesmenit Muharremi si luftë e prokurorisë, gjyqtarëve e mediave kundër tij.

Gënjeshtrat vaj vaj

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore