Kosova

Nepotizëm gjithandej në Podujevë – Bulliqi i ndan fonde babait të asamblistes së tij dhe burrit të kandidates për deputete nga VV që u dënua për avullimin e 1500 eurove në PTK


Foto: Albanian Post

Gruan kandidate për deputete nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, vajzën asambliste në komunën e Podujevës nga Vetëvendosje e familjarin zëvendës-ministër nga po e njëjta parti, Dalip Vokrri është përfitues i një fondi po nga Komuna e Podujevës.

Siç mund të shihet në listën e përfituesve të frezave të dheut nga marrëveshja e bashkëpunimit në mes të Komunës së Podujevës me Agjencinë Turke – Tika, Dalipi renditet i16-ti me radhë, nga 50-të gjithsejtë sa janë përfituesit totalë.

 

Lista e përfituesve e publikuar nga Komuna e Podujevës

Gruaja e Dalipit, Shemsia që ishte kandidate për deputete nga VV në zgjedhjet e vitit 2017, aktualisht paguan dënimin e marrë nga komisioni disiplinor brenda Postës dhe Telekomit të Kosovës, ku është e punësuar, meqë ishte gjetur përgjegjëse për avullimin e mbi 1500 eurove nga Zyra Postare në Podujevë.

Avullimi i rreth 1500 eurove në zyrën postare në Podujevë, komisioni disiplinor i shqipton vërejtje përgjegjëses

Zhdukja e parave nga Zyra Postare kishte ndodhur në shtatorin e vitit të kaluar dhe Vokrri ka qenë pjesë e një hetimi të Komisionit Disiplinor brenda Postës së Kosovës ku ishte marrë vendim që asaj t’i shqiptohej vërejtje/masë disiplinore.

Siç pati raportuar KALLXO.com në këtë masë ishte përmendur edhe kthimi i mjeteve për 1 mijë e 423 eurove, në emër të dëmit material.

Shemsie Vokrri

Shemsia në faqen e saj në Facebook vazhdimisht shpërndan postime në përkrahje të kryeministrit, Albin Kurti, madje edhe nga faqe dezinformuese siç është ajo me emrin Pamfleti.

Në një video të postuar nga ajo, thuhet “Albin Kurti frikëson SHBA-të dhe BE-në” dhe se ai është “një legjendë” pasi “toka shqiptare asnjëherë nga ka pasur një si Albin Kurti”.

Veç gruas, Dalipi, përfituesi i fondit nga Komuna, është familjar i zëvendës-ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri, i cili gjatë muajit maj u bë viral me një video ku tregonte se si misioni i shqiptarëve në tokë është përhapja e islamit në Perëndim.

Zëvendës-ministri Vokrri: Elhamdulillah, shqiptarët e kanë mision përhapjen e islamit në Perëndim

Lidhja e tretë e Dalipit me pushtetin është ajo përmes vajzës së tij Sebastina Vokrri, asambliste e Vetëvendosjes në Komunën e Podujevës.

E pyetur nga Albanian Post për dyshimet e ndikimeve politike për përfitimin e babit të saj, ajo ka deklaruar se nuk ndjen obligim të përgjigjet.

“Nuk kam çfarë të them, pyetni personat që kanë bërë vlerësimin për t’i shpërndarë frezat e dheut, unë s’kam qenë në komision”, tha ajo për AP.

Sebastina Vokrri

Ajo ka shtuar se arsyeja e marrjes së fondit nga babai i saj është fakti se ai i ka plotësuar kushtet.

“Është e vërtetë që babai im ka aplikuar se është fermer, me vite e vite merret me punë bujqësore”, deklaroi Vokrri duke ritheksuar se ai “i ka plotësuar vazhdimisht kushtet”.

AP ka provuar të kontaktojë edhe me kryetarin e Podujevës, Shpejtim Bulliqin, por ai ka refuzuar ta hap telefonin.

Bulliqi prejse ka ardhur në pushtet në Podujevë akuzohet vazhdimisht për punësime të familjarëve dhe partiakëve.

Ai ka punësuar së fundi edhe dhëndrin e tij në Ndërmarrjen Publike “Kompania e Ujësjellësit Rajonal Prishtina”, derisa i njëjti vazhdon të mbajë punën si zyrtar në një tjetër ndërmarrje publike.

Dhëndri i Shpejtim Bulliqit punësohet në Ndërmarrjen Publike “KRU Prishtina” – Bulliqi: Mos më pyetni mua si është punësuar

Është raportuar gjithashtu se edhe vëllezërit e dhëndrit të Bulliqit të gjithë janë punësuar pas ardhjes së Vetëvendosjes në pushtet.

Në një postim të bërë nga opozita në Podujevë të mërkurën është dhënë një listë e gjatë e punësimeve familjare e partiake vetëm në konkursin e fundit në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë.

Ata, duke publikuar edhe dokumente, tregojnë se si në këtë konkurs janë punësuar “nusja e djalit të motrës të Adelina Stubllës, që është kryetare e Gruas së Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë, kunata e saj po ashtu, kunata e drejtorit aktual të QKMF-së, Bajram Bajgorës, vajza e tezës së presidentes Vjosa Osmani, djali i baxhanakut të Shpejtim Bulliqit, vajza e nënkryetarit të Vetëvendosjes në Podujevë dhe aktivistë të tjerë të partisë.

Asamblisti i LDK-së në Podujevë, Qendrim Softolli, duke komentuar këto punësime, ka kujtuar kohën kur Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, thoshte se “familjarët janë për dasma” dhe jo për institucione.

“Nëse e nisin vallen familjarët e pushtetarëve në QKMF në Podujevë rendi shkon deri te rampa kryesore”, ironizon me statusin e tij në Facebook Softolli.

Shpejtim Bulliqi u bë figurë nacionale në politiken kosovare kur kishte dalur kundër demarkacionit me Malin e Zi.

Si ekspert gjeografie ai thoshte se Kosova po humbë tokë me marrëveshjen që kishte arritur me shtetin fqinj.

Bulliqi përkundër se qindra emisione u ftua për ta sqaruar, asnjëherë nuk kishte arritur të tregojë se ku saktësisht po humbet toka.

Në atë kohë ishte pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Bulliqi më pas kaloi në Lëvizjen Vetëvendosje dhe u bë kryetar komune nën siglën e kësaj partie.

Demarkacioni me Malin e Zi mbeti ashtu siç e kundërshtonte Bulliqi.

Por, ai e as Vetëvendosja më s’flasin për “humbjen e tokës”.

Kryeministri i Malit të Zi, Driton Abazoviç, ka thënë se ajo çështje është e mbyllur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore