Kosova

Dëshmitari i 16-të në rastin e Thaçit dhe të tjerëve dëgjohet në seancë private


Ilustrim

Të hënën ka nisur dëgjimi i dëshmitarit të 16-të në Dhomat e Specializuara në Hagë të Holandës kundër katër ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ndërsa me të nisur procesi gjyqësor pas një pauze tre-javore, dëgjimi i dëshmitarit të 16-të me kodin 03879, ka kaluar menjëherë në seancë të mbyllur për publikun.

Charles Smith, gjykatësi në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ka njoftuar se dëshmia e dëshmitarit të 16-të pritet të zgjasë katër deri në pesë ditë, ndërsa i njëjti do të intervistohet fillimisht nga avokati i viktimave, pastaj nga avokatët e të akuzuarve.

Prokuroria e Specializuar në Hagë do të ketë 8 orë kohë për intervistimin e dëshmitarit të 16-të, mbrojtja e viktimave të pretenduara do të ketë rreth 15 minuta kohë për pyetje, ndërkohë që ekipet mbrojtëse të të akuzuarve kanë kërkuar 13 orë kohë për intervistimin e dëshmitarit në fjalë.

Nga 312 dëshmitarë në total, deri më tash janë dëgjuar 15 prej tyre – shqiptarë, serbë, ekspertë ndërkombëtarë, ish-komandantë të UÇK-së e viktima të pretenduara të luftës – kryesisht në seanca të mbyllura për publikun, ndërsa këtë të hënë ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të 16-të.

Seancë do të ketë edhe të martën, të mërkurën e të enjten (15, 16 dhe 17 gusht), për të vazhduar më pastaj edhe më 21, 22, 23, 24 dhe 25 gusht. Seancat e fundit do të mbahen me 28, 29 dhe 30 gusht, duke e çuar në 11 numrin e seancave gjyqësore gjatë këtij muaji.

Të gjithë dëshmitarët janë dëgjuar në seanca private ose me zë të deformuar, përveç dëshmisë së ish-komandantit të Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa dhe dëshmisë së Francis Ladwidge, oficer i shërbimeve të inteligjencës së Britanisë së Madhe, që gjatë luftës kishte shërbyer në Kosovë.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, nisi më 3 prill të këtij viti, pas më shumë se dy vjet nga konfirmimi i aktakuzës. Dhomat e Specializuara kanë shpalosur aktakuzën kundër katër ish-drejtuesve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, që nga Zyra e Prokurorit të Specializuar është barazvlerësuar me “ndërmarrje të përbashkët kriminale”.

Procesi gjyqësor i nisur në fillim të prillit ka prapa vetes dy vjet e gjysmë zvarritje e shkelje – i cili është kritikuar sidomos për tentim të shmangies nga baza juridike e funksionimit të saj, për fshehje të provave shfajësuese, për redaktime të shumta dhe për bashkëpunim me Serbinë.

Të katër ish-udhëheqësit e UÇK-së akuzohen për krime të pretenduara lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndërsa gjenden në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Që të gjithë, në nisje të gjykimit sërish janë deklaruar të pafajshëm për të dhjetë pikat e aktakuzës.

UÇK-ja është cilësuar guerilja më e suksesshme në shekullin e kaluar, duke marrë parasysh se ajo arriti të realizojë projektin e shtetit të pavarur të Kosovës, porse me nisjen e gjyqit në Hagë, lufta e saj tash rrezikon të delegjitimohet dhe të ndryshojë përgjithmonë perceptimi publik për luftën çlirimtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore