Kosova

MINT shfuqizon 15 certifikata të bizneseve: Përmbanin emërtime antikushtetuese


Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka njoftuar se janë shfuqizuar certifikatat e 15 bizneseve me përmbajtje antikushtetuese.

“Pas pranimit të raportit të komisionit për riverifikim të dosjeve në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK) dhe shqyrtimit të mëtejmë të listës së 48 bizneseve me përmbajtje antikushtetuese, ARBK, deri më sot, ka shfuqizuar 15 certifikata të regjistrimit të bizneseve”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, shoqëritë tregtare gjatë regjistrimit të tyre kanë dorëzuar dokumente me përmbajtje në kundërshtim me parimet kushtetuese dhe ligjet në fuqi

“Këto 15 shoqëri tregtare, në dokumentacionin e pronarëve apo përfaqësuesve të autorizuar, kanë përmbajtje antikushtetuese si Pec, Republika Srbija; Pec, SRB; Gnjilane, Srbija; Pristina, Srbija; Djakovica, Republika Srbija; Kosovska Mitrovica dhe Republika Srbija”.

Po ashtu MINT ka paralajmëruar se shfuqizimi i certifikatave të shoqërive tregtare, që janë identifikuar me shkelje të njëjta apo të ngjashme, do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim.

“Në ndërkohë, ARBK ka vazhduar të bëjë edhe regjistrimin e bizneseve të reja, të cilat kanë aplikuar sipas kërkesave ligjore, me dokumente valide dhe me përmbajtje në pajtim me frymën kushtetuese”.

“Vetëm për dy ditët e fundit, pra me 7 dhe 8 gusht 2023 në sportelet zyrtare të ARBK-së janë regjistruara 86 shoqëri tregtare te reja, prej të cilave janë 33 biznese individuale (B.I) dhe 53 biznese shoqëri me përgjegjësi të kufizuar”.

Më 14 qershor, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përmes një komunikate për media kishte marrë vendim që të pezullojë certifikatën e biznesit të Shoqërisë Tregtare televizionit Klan Kosova.

Ndërsa në fillim të këtij muaji, Gjykata Komerciale, departamenti administrativ e ka aprovuar ankesën e Klan Kosovës, duke e shtyrë vendimin e Ministrisë së Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë (MINT), rreth pezullimit të certifikatës së këtij biznesi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore