Kosova

Arrestohet ish-komandanti i nënstacionit policor në Rakosh të Istogut, dyshohet për krime lufte


Policia e Kosovës ka njoftuar se këtë të shtune në një fshat të Komunës së Istogut është arrestuar një i dyshuar për krime lufte, me inicialet Z.Z.

“Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës (DHKL), kanë arritur që sot, më 05.08.2023, rreth orës 12:30, në fshatin Lubozhdë të komunës së Istogut të lokalizojnë dhe të arrestojnë të dyshuarin Ž.Z., viti i lindjes 1954, i dyshuar për veprën penale ‘Krime lufte kundër popullatës civile’ të kryer gjatë vitit 1998-1999 në Komunën e Istogut”, thuhet në komunikatën e policisë.

Bëhet me dije se i dyshuari gjatë kohës së luftës në Kosovë në vitin 1998-1999 ka pasur pozitën e komandantit të Nën Stacionit Policor në fshatin Rakosh të Komunës Istogut.

“I njëjti është sjell në zyrat e DHKL-së ku pritet të intervistohet në cilësi të dyshuarit në prezencë të avokatit mbrojtës”.

Edhe të premten Policia e Kosovës njoftoi se në pikën kufitare në Merdare ishte arrestuar ish-shefi i milicisë serbe në Komunën e Istogut, gjatë kohës së luftës, me inicialet M.P.

Në komunikatën e lëshuar nga policia, thuhej se hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, nën autorizimet e Prokurorit të Shtetit në Prokurorinë Speciale të Republikës se Kosovës, “për një periudhë kohore kanë zhvilluar veprime hetimore, mbledhje të dëshmive e provave dhe identifikimin e kryerësve të veprave penale të krimeve të luftës”.

“Këto hetime kanë qenë të përqendruara rreth zbulimit të autorëve të krimeve të kryera në periudhën 1998-1999 në rajonin e komunës së Istogut”.

Aty bëhej me dije se në vazhdën e angazhimeve hetimore është arritur të mblidhen dëshmi dhe prova për krimet dhe kryesit e këtyre veprave penale.

“Hetuesit policorë kanë pranuar dhe përpunuar informata të shumta operative në drejtim të identifikimit, vendndodhjes dhe lokalizimit të të dyshuarit, aktivitetit dhe lëvizjeve të tij, në dhe jashtë territorit të Kosovës”.

Po ashtu, njoftonin se procesi hetimor është ndihmuar nga zyrtarët e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), “me të cilët është bashkëpunuar ngushtë në një punë ekipore, ku është bërë përpunimi inteligjent i informatave”.

“Nga bashkërendimi i aktiviteteve është bërë e mundur të identifikohet një i dyshuar për krime lufte, i cili në kohën e luftës 1998-1999 ishte krye-shef i milicisë në Istog”.

I dyshuari me inicialet M.P, është arrestuar në ora 18:05, në Pikën e Kalimit Kufitar në Merdare.

Ndërsa, bëhet me dije se me aktvendim nga prokurori i njëjti është dërguar në mbajtje deri në 48 orë.

Arrestohet ish-shefi i milicisë së Istogut, dyshohet për krime lufte gjatë viteve ’98-’99

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore