Kosova

“Propaganda ruse po shkakton trazira në Kosovë”


Arta Haxhixhemajli, studiuese e lartë në Institutin Octopus, në një intervistë për The Geopost, tha se rritja e së djathtës ekstreme në Evropë ka pasoja serioze për sigurinë globale dhe se një nga aspektet kryesore të përhapjes së të djathtës ekstreme është lidhja me Rusinë, e cila përdor një strategji “soft power” për promovimin e interesave të tyre.

Haxhixhemajli thekson se propaganda dhe narrativët e rëndësishme që vijnë nga Rusia janë veçanërisht të dukshme në Ballkan, sidomos në Kosovë dhe po përhapen përmes organizatave, fondeve dhe mediave të ndryshme sociale, përfshirë platformën “Telegram”.

“Një pjesë e hulumtimeve është edhe për Zhak Hogardin (Jacques Hogard) ku e kemi përmendur që ka pasur eksperiencë dhe vazhdon të ketë një ndikim në propagandat ruse e po ashtu edhe pro-serbe. Kjo paraqet një rrezik shumë të madh për Ballkanin, sidomos për Kosovën, për arsye se narrativët që po përdoren nga Rusia dhe vendet e personalitetet që mbështesin propagandën ruse po shkaktojnë dëme të reputacionit dhe trazira në Kosovë”, tha ajo.

Kur pyetet “si të luftohet fenomeni i doktrinës së të djathtës ekstreme”, ajo shpjegon se është një problem për të gjitha shtetet e Ballkanit, teksa tregon se Instituti Octopus ka bërë disa rekomandime dhe që ka publikuar një raport.

Po ashtu Haxhixhemajli ka theksuar se një tjetër rekomandim që vlen të përmendet është edhe roli i qeverisë.

“Të marrë masa shumë më kredibile dhe më efektive kundër narrativëve propagandistë të shteteve të ndryshme, do të thotë të identifikojë se çfarë influence ka dhe bashkëpunimin me organizatat tjera, duke përfshirë edhe institutet për të arritur dhe për ta parandaluar”, shtoi ajo.

Sipas saj, këto janë disa rekomandime që duhen të zhvillohen më tej, mirëpo janë si bazë për të parandaluar, pasi që është një problem jo vetëm për Kosovën, por edhe për vendet e tjera.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore