Kosova

Rozeta Hajdari: Për ne ka përfunduar rasti i Klan Kosova


Ministrja e Industrisë, Ndërrmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

Ministrja e Industrisë, Ndërrmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka reaguar ndaj vendimit që Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve në kuadër të ministrisë që ajo e udhëheqë mori për të refuzuar ankesën e televizionit “Klan Kosova” për rikthimin e licencës së operimit.

Përmes një postim në Facebook, Hajdari tha se “për sa i përket vendimmarrjes në kuadër të MINT, procedimi i rastit Klan Kosova sh.p.k. ka përfunduar”.

“Çdo biznes me veprimtari në Republikën e Kosovës, e ka për obligim që të respektojë Kushtetutën dhe ligjet e vendit tonë”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, ministrja potencoi se dikasteri që ajo e drejton “është e vendosur për të mbrojtur rendin dhe ligjin në çdo rast brenda fushëveprimit të saj, pa përjashtim e pa diskriminim”.

“Fakti që një biznes sh.p.k., mes shumë veprimtarive të tjera, merret edhe me media, nuk e amniston aspak prej llogaridhënies për shkeljet ligjore që i kryen, sado i fuqishëm që të jetë ekonomikisht apo politikisht”, pohon ajo.

Tutje, Hajdari i bëri thirrje Policisë së Kosovës dhe prokurorëve kompetentë, “që të ndërmarrin hapat e nevojshëm ligjorë për të hetuar, deri në fund, shkeljet ligjore të kryera nga ana e këtij biznesi, si dhe nga ana e disa zyrtarëve të ARBK, për të cilat shkelje ligjore kjo Ministri ka parashtruar kallëzim penal para disa javësh”.

Ndryshe nga ministrja Hajdari, ky vendim është kundërshtuar ashpër nga partitë opozitare në Kosovë, organizatat ndërkombëtare për lirinë e mediave, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, si dhe nga shoqëria civile.

Një vendim i tillë është konsideruar si sulm dhe përpjekje për të cenuar lirinë e shprehjes, dhe tentativë për të kufizuar pluralizmin mediatik në Kosovë.

Çka ndodhi?

Televizioni më i madh në Kosovë “Klan Kosova” mund të mbyllet krejtësisht, pasi Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka njoftuar se ka refuzuar ankesën e televizionit për rikthimin e licencës së operimit.

Sipas njoftimit të MINT “ARBK-ja, në shkallën e parë, ka vendosur në përputhje me ligjin kur e pezulloi certifikatën e biznesit të Klan Kosovës sh.p.k”.

Arsyetimi i ARBK-së për pezullimin e certifikatës ka qenë se, në dokumentet e regjistrimit të kompanisë pronare të biznesit në fjalë, “KGO Media Invest DOOEL”, komunat e Republikës së Kosovës paraqiten si qytete të Serbisë, gjë që përbën shkelje të Kushtetutës.

“Vetë fakti që përfaqësuesit e Klan Kosovës sh.p.k., pas kaq shumë vitesh, kanë nisur hapa për korrigjim, vërteton se biznesi në fjalë e kishte kryer shkeljen e konstatuar nga ARBK-ja dhe se vendimi për pezullimin e certifikatës së biznesit ishte marrë me të drejtë”, thuhet në njoftim.

Çka ndodhi me Klan Kosovën?

Më 14 qershor, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përmes një komunikate për media kishte marrë vendim që të pezullojë certifikatën e biznesit të Shoqërisë Tregtare televizionit Klan Kosova.

“Raportimet e mediave gjatë këtyre ditëve rreth kësaj çështjeje, kanë nxjerrë në pah dyshime të bazuara për keqpërdorim të mundshëm të pozitës zyrtare të punonjësve në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës, e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Si rrjedhojë, MINT ka bërë të gjitha angazhimet e nevojshme dhe menjëherë ka ndërmarr masat e qartësimit të brendshëm të gjendjes”, thuhej në njoftim.

Sipas MINT, në bazë të dhënave të shpërfaqura nga i gjithë procesi i regjistrimit e më pas transaksioneve tjera të shitblerjes së Shoqërisë Tregtare ‘KLAN KOSOVA’ SHPK, rezultojnë dyshime serioze të keqpërdorimit të detyrës zyrtare nga zyrtarë të ARBK-së, por edhe dyshime për keqpërdorim të autorizimeve ekonomike nga persona përgjegjës të kompanisë.

Komisioni i Pavarur për Media (KPM), pas një takimi që ka mbajtur më 16 qershor, i kishte dhënë afat prej 30 ditësh televizionit Klan Kosova, që të plotësojë dokumentacionin e nevojshëm të biznesit në ARBK.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), kishte bërë thirrje që të lejohet kohë dhe të mos ketë presione për plotësimin e dokumentacionit të kërkuar, në pritje të vendimit nga ana e Komisionit të Pavarur të Medieve.

Shtatë organizata kryesore ndërkombëtare për lirinë e mediave dhe grupet e gazetarëve kishin bërë thirrje që certifikata e përditësuar e biznesit të Klan Kosovës të pranohet nga komisioni i ankesave.

Po ashtu, kishin kërkuar që të ndërpriten menjëherë të gjitha përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për t’i bërë presion medias.

Televizioni kombëtar privat, Klan Kosova, ka nisur transmetimin më 17 shkurt të vitit 2009.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore