PDK e LDK në 13 vjetorin e vendimit të GjND-së: Ky gjykim i drejtë i dha vulën finale drejtësisë
Partia Demokratike e Kosovës, përkatësisht Kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi, dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë kujtuar përvjetorin e 13-të të vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, Krasniqi tha se “si sot, 13 vjet më parë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë konstatoi se Shpallja e Pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare”.
“Me vullnetin dhe përpjekjen për shtetformim të një lidershipi vizionar, në koordinim me miq e aleatë e jo kundër tyre, me dashuri e përkushtim për të ardhmen e sigurt të fëmijëve tanë dhe jo duke e rrezikuar atë – shpallja e pavarësisë është suksesi ynë më i madh historik”.
Prandaj, pohoi ai, “edhe sot, kujtojmë dhe nderojmë sakrificën e madhe ndër breza të popullit tonë dhe luftën e shenjtë e çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
“Krenarë, sot e përjetësisht, me shtetin dhe qytetarët tonë liridashës!”, përfundoi kreu i PDK-së.
Ndërkaq, nga LDK potencuan se “sot 13 vjet, u dëshmua legjitimiteti i të drejtës tonë për liri, pavarësi dhe demokraci”.
“Më 22 korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vërtetoi se ‘shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk paraqet shkelje të së drejtës ndërkombëtare’”.
Tutje, nga partia opozitare pohuan se në atë kohë Kosova bëri bashkë njerëzit më të mirë e më të aftë të saj në bashkëveprim me miqtë strategjik, “duke e përfaqësuar e mbështetur Kosovën denjësisht në këtë proces qenësor për vendin”.
“Ky gjykim i drejtë e vendim i shumëpritur i dha vulën finale drejtësisë, dhe i hapi rrugë Kosovës që të vazhdojë kërkimin e përfshirjes si shtet i barabartë mes shteteve demokratike”.
Në gjithë këtë rrugëtim, theksuan nga LDK, “plot sfida e njëkohësisht përplot momente përmbushjeje si kjo, Kosova qëndroi krah aleancës së pa rezervë të SHBA-së e miqve tjerë ndërkombëtarë”.
“LDK mbetet krenare në rolin e pazëvendësueshëm që luajti konkretisht në këtë proces dhe në këtë rrugë të denjë të Kosovës”.
Sipas saj 13 vjet më parë GJND-ja konfirmoi se Kosova nuk e ka shkelur ligjin ndërkombëtarë kur e ka shpallur pavarësinë e saj.
Prandaj mbi këtë premisë ajo ka kërkuar që të gjitha shtetet mos-njohëse ta marrin për bazë këtë dhe të ndryshojnë qëndrim në raport me shtetësinë e Kosovës.
“13 vjet më vonë, kjo pikëreferimi mbetet një thirrje për vendet që nuk e kanë bërë ende një gjë të tillë, të bashkohen me demokracitë në mbarë botën dhe të njohin realitetin e pakthyeshëm të Republikës sonë sovrane”, ka shkruar ajo në Twitter.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Gazetarja serbe: Vuçiç s’e thotë të vërtetën – Kosova është shtet i pavarur
-
Kurti për doganierin e EULEX-it të vrarë në Veri: U qëllua me gjakftohtësi
-
“Përndjekje ndaj simbolit tonë kombëtar”, Mustafi dënohet nga Serbia për ngritjen e flamurit shqiptar
-
Ish-diplomati serb: Kosova histori e mbyllur, Vuçiçi po e dorëzon
Lajmet kryesore
-
Jo më qendra emigrantësh në Shqipëri, Rama: Marrëveshja është ekskluzive për Italinë
-
Akuzohen për vjedhje, AMP ekzekuton masat e sigurisë për 22 punonjës policie në Kukës
-
Çfarë nënkupton zgjedhja e Marta Kos si Komisionere e Zgjerimit?
-
Kurti për doganierin e EULEX-it të vrarë në Veri: U qëllua me gjakftohtësi