Aplikacione

Nick Clegg mbron lëshimin e modelit të AI-së me burim të hapur nga Meta


Nick Clegg ka mbrojtur publikimin e një modeli të inteligjencës artificiale (AI) me burim të hapur nga kompania Meta e Mark Zuckerberg.

Presidenti i Çështjeve Globale në Meta dhe ish-zëvendëskryeministri i Mbretërisë së Bashkuar ka folur pasi kompania ka bërë me dije se po hapte aksesin në modelin e saj të ri Llama 2.

Ky i fundit do të jetë falas për kërkime dhe përdorim tregtar.

LLM-të janë trajnuar për sasi të mëdha të dhënash dhe mbështesin produkte gjeneruese të AI-së, siç është chatbot-i ChatGPT.

Disa ekspertë kanë paralajmëruar se bërja e modeleve të AI-së me burim të hapur – ose lirisht të disponueshme për t’u përdorur dhe përshtatur për qëllime unike – mund të çojë në përdorimin e teknologjisë për qëllime keqdashëse.

Duke folur në programin “Today” të BBC Radio 4, Clegg ka thënë se “pikëpamja është se zhurma ka shkuar disi përpara teknologjisë”.

“Unë mendoj se shumë nga paralajmërimet ekzistenciale lidhen me modelet që nuk ekzistojnë aktualisht, të ashtuquajturat modele super-inteligjente, super të fuqishme – vizioni ku AI zhvillon një autonomi më vete, ku mund të mendojë vetë dhe riprodhojë veten”, ka treguar ai.

“Modelet që ne kemi me burim të hapur janë shumë, shumë, shumë larg kësaj”, ka theksuar ai.

Sipas Clegg, Meta kishte 350 njerëz që testonin modelet e saj gjatë disa muajve për të kontrolluar për ndonjë problem të mundshëm dhe Llama 2 ishte më i sigurt se çdo model tjetër gjuhësor i madh në dispozicion, si ChatGPT i OpenAI.

Teksa Clegg ka thënë se beson fuqimisht që AI-ja duhet të rregullohej, sipas tij, “kjo nuk do të thotë që çdo model i vetëm duhet të jetë me burim të hapur”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore