Lajme

Protestat më masive kundër reformës në drejtësi u mbajtën në Izrael


Dhjetëra mijëra demonstrues morën pjesë në protestat në Tel Aviv dhe qytete të tjera izraelite të shtunën mbrëma kundër reformës së sistemit gjyqësor të propozuar nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.

Kjo, pasi Knesset (Parlamenti i Izraelit) miratoi ligjin kyç në leximin e parë këtë javë.

Protestat ishin më masive se zakonisht dhe ishte mbledhja e 28-të që nga janari, kundër reformës në sistemin e drejtësisë, raportoi “Associated Press”.

Protestat u mbajtën edhe në Jerusalem, ku demonstruesit tundnin pishtarë të ndezur para shtëpisë së Netanyahu-t, si dhe në qytetet bregdetare të Herzliya dhe Netanya-s.

Liderët e protestës njoftuan se do të vazhdojnë me organizimin e demonstratave.

Projektligji duhet të miratohet me dy vota të tjera, që pritet në fund të muajit, përpara se të bëhet ligj.

Në Tel Aviv, protestuesit shpalosën një pankartë të madhe ku shkruhej “SOS”.

Gratë e veshura me fustane të kuqe si personazhe nga romani dhe seriali distopian televiziv “The Handmaid’s Tale” dolën sërish në rrugë për të treguar se, nëse ligji kalon, ato nuk do të lejojnë që të hiqen të drejtat e grave, raportoi agjencia amerikane.

Protestuesit bllokuan autostradat kryesore dhe ndërprenë operacionet në aeroportin kryesor ndërkombëtar të Tel Aviv-it të martën pasi koalicioni parlamentar i Netanyahu-t miratoi projektligjin në lexim të parë.

Organizatorët kanë paralajmëruar protestë të re për 18 korrik, nëse vazhdon miratimi i parashikuar i ligjit.

Netanyahu u shtrua në spital të shtunën për shkak të dehidratimit pasi përjetoi marramendje dhe publikoi një video nga një spital në Tel Aviv duke thënë se ai ishte mirë.

Netanyahu e kaloi natën në spital dhe një mbledhje e kabinetit u shty për të hënën, tha zyra e tij.

Pas më shumë se gjashtë muajsh, protestat kundër shfuqizimit të disa kompetencave të Gjykatës së Lartë të Izraelit dhe dhënies së pushteteve më të mëdha qeverisë nuk tregojnë shenja pakësimi.

Sindikata kombëtare e Izraelit dhe shoqata e saj mjekësore u bashkuan me një listë të gjatë grupesh për të folur kundër projektligjit.

Rezervistët e ushtrisë, pilotët luftarakë dhe drejtuesit e biznesit i kërkuan qeverisë të pezullojë planin.

Kreu i sindikatës kombëtare Histadrut, Arnon Bar-David, kërcënoi një grevë të përgjithshme të mundshme që mund të paralizojë ekonominë izraelite.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore