Kosova

Vuçiç-i i ankohet ambasadorit rus për situatën në Kosovë


Aleksandër Bocan Kharchenko dhe Aleksandër Vuçiç

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, këtë të enjte, në zyrën e tij ka pritur ambasadorin e Rusisë, Aleksandër Bocan Kharchenko, me të cilin, siç ka njoftuar përmes një postimi në rrjetin e tij social në Facebook, ka diskutuar mbi situatën e krijuar në Veri të Kosovës.

Ndonëse Qeveria e Kosovës ka pranuar de-eskalimin e situatës në këtë pjesë të vendit duke larguar 25 për qind të prezencës policore nga ndërtesat komunale dhe përreth tyre, Vuçiç i është ankuar ambasadorit rus, siç pretendon ai, “për dhunën politike, juridike dhe fizike që po ushtron Kosova ndaj serbëve”.

“Serbia është në një situatë jashtëzakonisht të vështirë”, ka thënë Vuçiç ndër të tjera.

Vuçiç ka njoftuar ambasadorin rus gjithashtu për planin e Serbisë për të kërkuar nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së që të informojë mbarë opinionin botëror për përpjekjet e Kosovës për të kërcënuar paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Ndryshe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e 151-të të Qeverisë së Kosovës, ka prezantuar para ministrave arritjen e dakordimit në mes të zëvendësit të tij, Besnik Bislimit dhe të deleguarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, për reduktimin e trupave të Policisë së Kosovës brenda e në afërsi të ndërtesave komunale, ku qëndronin deri më tani, si hapi i parë për de-eskalimin e situatës së tensionuar në Veri të Kosovës.

Reduktimi, sipas Kurtit do të bëhet menjëherë meqë, siç ka argumentuar ai për shkak se qe “dy javë situata e ndërtesave komunale është krahasimisht shumë më e qetë”.

“Qeveria e Kosovës e shpallë publikisht gatishmërinë e saj për të punuar në drejtim të de-eskalimit të situatës dhe për të mos ndërmarrë hapa që mund ta eskalojnë situatën në Veri të vendit tonë. Kjo gjë nënkupton edhe reduktimin e menjëhershëm të 1/4 të policëve që gjenden brenda ndërtesave komunale apo në afërsi të tyre”, tha ai.

Shefi i Qeverisë së Kosovës përmendi edhe pikat e tjera të dakordësimit për të shtensionuar situatën në Veri, ndër të cilat atë për vlerësime të përbashkëta me EULEX-in dhe KFOR-in për mundësinë e zvogëlimit të mëtejshëm të pranisë policore në Veri.

“Kjo ishte kërkesë e jona që nga fillimi”, shtoi ai.

Ai përmendi edhe deklaratën që duhet ta bëjë Qeveria për të mbështetur mbajtjen e zgjedhjeve të reja në Veri “pas stinës së verës”.

Kurti foli edhe për pikën e fundit të dakordimit në Bratisllavë, e cila ka të bëjë me ftesën që BE-ja do të dërgojë dy kryenogociatorëve për një takim që do të finalizojë planin e sekuencimit të implementimit të Marrëveshjes së dakordësuar fillimisht në Bruksel më 27 shkurt e më pastaj në Ohër të Maqedonisë së Veriut më 18 mars.

“Pas finalizimit të planit të sekuencimit do të fillojë menjëherë zbatimi i të gjitha neneve të marrëveshjes”, tha Kurti ndër të tjera në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore