Kosova

Arrestimi i “Rusit”, Sveçla: Republika nuk trembet


Xhelal Sveçla

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas arrestimit të të dyshuarit për sulm ndaj ushtarëve të KFOR-it, me 29 maj.

“Policia e Kosovës sot ka arrestuar Nenad Orloviç, i njohur me nofkat ‘Nemaç’ dhe ‘Rusi’, i cili dyshohet për sulm ndaj KFOR-it në ditën e 29 majit në Zveçan ku mbeten të plagosur shumë ushtarë”, shkroi Sveçla në llogarinë e tij në rrjetin social “Facebook”.

Ndërkaq, ai potencoi se “pandëshkueshmëria dhe amnistia ndër vite e kriminelëve të tillë, ka rezultuar me sulme brutale ndaj KFOR-it nga të cilat mbi 30 pjesëtarë mbetën të lënduar”.

“Secili që ka organizuar dhe ka qenë pjesë e atyre sulmeve do të sillet para drejtësisë”.

Tutje, ministri Sveçla theksoi se  “republika nuk trembet”, duke shtuar se “secili do të japë llogari për secilin krim”.

“Do të vazhdojmë pa u ndalur, në luftë ndaj të gjitha bandave që kanë për synim terrorin ndaj qytetarëve tanë e destabilizimin e vendit tonë”.

Ndërsa, ai pohoi se bandat kriminale në Veri të Kosovës ndër vite kanë “ushtruar terror mbi qytetarët tanë përmes akteve të tyre të ndryshme kriminale”.

“Qytetarët tanë, veçanërisht ata shqiptarë, janë dëbuar nga shtëpitë e tyre, ata që kanë qëndruar janë rrahur, maltretuar e terrorizuar në vazhdimësi nga këto grupe kriminale. Shumë prej tyre janë larguar nga aty pikërisht për shkak të këtij terrori të ushtruar sistematikisht nga struktura kriminale me urdhër nga Beogradi”.

“Akte të njëjta kanë ndodhur edhe ndaj qytetarëve të etnisë serbe të cilët kanë njohur dhe kanë bashkëpunuar me institucionet tona”.

Po ashtu, ai përmendi edhe rastin e së enjtes, ku 15 deri në 20 persona kanë rrahur dy të rinj shqiptarë në sheshin e Mitrovicës së Veriut.

“Ky akt, si çdo tjetër është i papranueshëm dhe organet tona janë të angazhuara që sulmuesit të sillen sa më parë para drejtësisë”.

Ndryshe, Policia e Kosovës ka arrestuar edhe një të dyshuar për sulm ndaj pjesëtareve të KFOR-it gjatë protestave në Veri, sulme këto që kishin ndodhur me 28 maj.

Lajmin e ka bërë të ditur Policia e Kosovës përmes një komunikate për media.

“Si rezultat i punës dhe hetimeve intensive të realizuara nga Policia e Kosovës, sot në orët e paradites është arrestuar i dyshuari mashkull serb N. O., me vendbanim në Mitrovicë Veri, i njohur me nofkat “Nemac” dhe “Rusi”, si i dyshuar për përfshirje në rast të sulmit dhe rrezikimit të personave nën mbrojtje ndërkombëtare – KFOR-it”.

Tutje është sqaruar se arrestimi i tij është bërë pas sigurimit të dëshmive.

Ndërsa, për veprimet e tjera do të jenë në koordinim me institucionet e drejtësisë.

“Arrestimi i tij dhe shoqërimi në stacion policor është kryer pas sigurimit të dëshmive, se i njëjti është përfshirë në sulm ndaj KFOR-it me datën 29 maj 2023, ku si pasojë e sulmeve dhe dhunës së shfaqur dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it kanë pësuar lëndime trupore”.

“Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”.

Nga Policia është thënë se do të vazhdohet angazhimi dhe përkushtimi i saj për ruajtje të rendit dhe sigurisë publike, për sundim të ligjit dhe sjelljen para organeve të drejtësisë së personave të dyshuar që bien në kundërshtim me rendin dhe ligjin.

https://albanianpost.com/nje-tjeter-i-dyshuar-arrestohet-per-sulm-ndaj-kfor-it-ne-veri/

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore