Kosova

A e zgjidhi takimi krizën? Krejt çka ndodhi dje në Bruksel


Albin Kurti, Aleksander Vucic dhe Josep Borrell

Pa marrëveshje, por me shprehje që u kuptuan si sinjale pozitive, kanë përfunduar takimet e ndara të së enjtes në mes të Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell dhe të dërguarit special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në përpjekje për të arritur një dakordim për shtensionimin e situatës në Veri të Kosovës.

Pajtimi për nevojën e zgjedhjeve të reja në katër komunat në Veri të Kosovës dhe gjetja e koordinimit për lirimin e menjëhershëm të tre policëve të rrëmbyer nga Serbia, largimi i njësiteve policore nga objektet komunale dhe njëkohësisht tërheqja e protestuesve serbë, ishte “rezultati” i takimeve që zgjatën 4 orë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të ishte i pari që do të ulej në tavolinën e bisedimeve me diplomatët evropianë, duke u pasuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Mirëpo, Kurti, pasi që Borrell e Lajçak do ta përfundonin takimin me Vuçiç-in, do të zhvillonte edhe një raund tjetër negociatash me ndërmjetësit evropianë.

Në përfundim palët përsëritën qëndrimet e tyre që po i potencojnë që një kohë. Por, pati një dallim, pasi që kreu i ekzekutivit kosovar theksoi se situata në Veriu e Kosovës – e cila është e tensionuar që nga 26 maji – ditëve në vijim do të jetë më paqësore.

Kush çfarë tha?

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, në një konferencë për media pas përfundimit të takimeve tha se janë pajtuar për nevojën e mbajtjes së zgjedhjeve të reja në Veri të Kosovës.

“Takimi i sotëm s’u fokusua në atë se çfarë, por se si dhe kur – kur do të shtensionohet situata në terren, me hapa konkretë, si të organizohen zgjedhje të reja e si të kthehemi në dialog dhe të implementohen të gjitha marrëveshjet e dialogut. Jemi marrë vesh për zgjedhje të reja dhe kemi diskutuar për modalitetet se si të arrijmë aty”.

Ai ka përsëritur sërish kërkesat e bashkësisë së organizuar ndërkombëtare për zgjidhjen e krizës në veriun e Kosovës të banuar me serbë etnikë, duke filluar me tërheqjen e menjëhershme të policisë kosovare nga ndërtesat komunale atje dhe që kryetarët e rinj të kryejnë detyrat e tyre të përkohshme nga lokacione alternative.

Kryediplomati evropian ka thënë se protestuesit serbë duhet të largohen nga ndërtesat komunale, por vetëm atëherë kur të tërhiqet Polica e Kosovës, ndërsa ka shtuar se më pas duhet të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme dhe të ketë pjesëmarrje të plotë të serbëve lokalë.

“Kosova t’i pezullojë menjëherë operacionet policore në afërsi të objekteve komunale në veri dhe katër kryetarët e komunave përkohësisht të largohen nga objektet komunale. Serbia duhet të sigurojë që protestuesit do të tërhiqen nga objektet komunale, në të njëjtën kohë me forcat policore dhe pastaj të shpallen zgjedhjet”.

Shefi i diplomacisë evropiane ka thënë se Kosova dhe Serbia menjëherë pas qetësimit të situatës duhet t’i kthehen dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në bazë të asaj çfarë është dakorduar fillimisht në Bruksel më 27 shkurt, pastaj në Ohër më 18 mars.

“Kur situata në terren të normalizohet, atëherë të vazhdojmë punën në dialog. Edhe para ca muajve patëm arritur një marrëveshje bazike në rrugën drejt normalizimit dhe dukej se ishim në një drejtim të mirë për të avancuar në këtë që quhet normalizim i marrëdhënieve dhe duhet t’i kthehemi implementimit të kësaj marrëveshjeje”.

Borrell ka theksuar se implementimi i marrëveshjes përfshinë edhe hartimin e menjëhershëm të statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ndërsa ka shtuar se tre policët e arrestuar nga strukturat serbe të sigurisë duhet të lirohen menjëherë dhe pa kushte.

Deklarata e plotë e Borrellit pas “takimit për menaxhimin e krizave” me Kurtin dhe Vuçiçin

Deklarimi i Kurtit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një prononcim para gazetarëve në Bruksel pas takimit me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian – Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak – ka deklaruar se është pajtuar për nsvojën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në veriun e vendit të banuar me serbë etnikë.

“Sa i përket zgjidhjes më të qëndrueshme, natyrisht që e kuptojmë se ka nevojë për zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri, nëpërmjet një procesi i cili paraprihet nga sundimi i ligjit, nga një kampanjë e hapur e fer dhe nga zgjedhje të lira dhe demokratike”, tha kryeministri Kurti.

“Për bindjen time të fuqishme, de-eskalimi nënkupton largimin e ekstremistëve të dhunshëm, të grupeve ilegale dhe kriminale, që menjëherë do të përcillej me zvogëlimin e pranisë së Policisë së Kosovës në ndërtesat e komunave”, ka shtuar kreu i ekzekutivit.

Megjithatë, kryeministri Kurti ka thënë se “paqja e qëndrueshme” në veriun e vendit është ende e pasigurt, porse shtoi se duke u nisur nga optimizmi i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Emisarit Special për dialogun Kosovë-Serbi, ditët përpara do jenë më të mira dhe më paqësore.

“Nuk mund të them që situata është e sigurt për shkak të disa takimeve bilaterale dhe të kemi një paqe të qëndrueshme, por nga optimizmi i ndërmjetësit, unë mund të them se ka shenja që ditët përpara do jenë më të mira se ato që i kemi lënë pas”, ka deklaruar kryeministri Kurti.

Ai ndër të tjera ka theksuar se situata e tensionuar në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, ka ardhur si pasojë që tekstit të Marrëveshjes së Ohrit (18 mars) – ashtu sikurse më 27 shkurt në Bruksel – i ka munguar një aspekt i rëndësishëm: nënshkrimi nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Borrell: Kosova t’i organizojë menjëherë zgjedhjet në veri – Serbia t’i lirojë menjëherë policët kosovarë

Po Vuçiç?

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pas takimit me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell dhe Emisarin Special për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, ka thënë se ngjarjet që do të pasojnë “nuk do të varen as nga Borrelli e as nga ne”.

Në një prononcim para gazetarëve të pranishëm në Bruksel, ai ka thënë se është i gatshëm që çdo herë të flasë me përfaqësuesit e BE-së, por jo edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili, sipas pretendimeve të tij, po dëshiron të shkaktojë “konflikt” në pjesën Veriore të Kosovës.

“Unë kam ardhur gjithmonë në çdo diskutim, sepse besoj se dialogu është i rëndësishëm dhe shërues. Në këtë moment nuk shoh asnjë arsye të flas me një njeri që provokon çdo ditë dhe dëshiron të shkaktojë konflikt ngase është ideologjia e tij fanatike. Mendova se do të sillte më shumë dëme”, tha Vuçiç.

“Ajo që do të ndodhë më pas nuk varet shumë as nga Borell dhe as nga ne, por shumë më tepër nga ata që përpiqeshin të krijonin trazira çdo ditë. Nuk shoh asnjë të keqe nga takimi, nëse ndodh diçka pozitive, mirë, nëse jo, çfarë duhet të bëjmë. Në jetë, nuk mund të ndikoni në gjithçka. Diçka mund të ndryshoni, diçka nuk mundeni”.

Ai ka deklaruar se nuk mund të konfirmojë që “ekziston ndonjë udhërrëfyes” për daljen nga kriza në veriun e Kosovës të banuar me serbë etnikë, porse ka thënë se i ka informuar përfaqësuesit evropianë për “terrorin” që gjoja po e përjetojnë serbët në Kosovë nga autoritetet kosovare.

Vuçiç: Ajo që do të ndodhë më pas s’varet as nga Borrelli, as nga unë – s’mund të ndikoni në gjithçka

Çka i solli këto takime?

Ky takim u thirr nga kryediplomati evropian pas tensioneve që u krijuan në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Tensionet në Veri të Kosovës kanë filluar që nga 26 maji, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për të instaluar kryetarët e sapozgjedhur të katër komunave Veriore në ndërtesat komunale nën asistencën e Policisë së Kosovës.

Situatë më e tensionuar ishte të hënën e 29 majit, kur protestuesit e dhunshëm serbë sulmuan ushtarët e KFOR-it, duke lënduar dhjetëra prej tyre, kryesisht italianë dhe hungarezë.

Ndërsa, situata agravoi edhe më tej kur xhandarmëria serbe kidnapoi tre policë të Kosovës në vijën kufitare.

Në këtë kontekst, BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara i kanë paraqitur kryeministrit Kurti, tri kërkesa sa i përket tensioneve të krijuara në Veri; qetësimin e situatës në Veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në Veri dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e raporteve.

Nga ana tjetër, Serbisë i kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore