Kosova

Vuçiç: Do të shkoj në Bruksel, por nuk do të flas me Kurtin


Aleksandër Vuçiç

Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, këtë të enjte, ka konfirmuar se do të jetë në Bruksel duke iu përgjigjur kështu ftesës së shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell, për një takim të nivelit të lartë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Megjithatë Vuçiç për Radio Televizionin e Serbisë, RTS, ka theksuar se në Bruksel nuk do të pranojë të takohet e të flas me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, por vetëm me kryediplomatin spanjoll.

“Nuk do të flas me Albin Kurti në Bruksel, nuk ka kuptim të flas me të. Ai na jep leksione për filozofinë, pak për Adem Demaçin, pak për Karl Marx, e për Enver Hoxhën, sot do të bisedoj vetëm me kreun e diplomacisë evropiane, Josep Borrell. Serbia është në një situatë të vështirë dhe nën presion të madh”, ka thënë Vuçiç.

Ndryshe Borrell, përmes një postimi në rrjetin e tij social në Twitter, ka bërë të ditur se ka ftuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në Bruksel për një takim të radhës së nivelit të lartë në kuadër të dialogut.

Takimi, sipas kryediplomatit spanjoll, ka karakter urgjent dhe në funksion për të gjetur rrugëdaljen nga kriza aktuale në Veri të Kosovës.

“Ne kemi nevojë për deeskalim të menjëhershëm dhe zgjedhje të reja në Veri me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës. Kjo është parësore për rajonin dhe BE-në”, ka shkruar ndër të tjera Borrell.

Në anën tjetër një ditë më parë kryeministri Kurti, nëpërmjet një cicërime në llogarinë e tij në Twitter ka konfirmuar se më 22 qershor do të jetë në Bruksel duke iu përgjigjur kështu ftesës së shefit të diplomacisë evropiane, Borrell, për një takim të nivelit të lartë me Vuçiç’in.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore