Kosova

Borrell njofton se ka ftuar Kurtin dhe Vuçiç’in për një takim urgjent në Bruksel: Kemi nevojë për de-eskalim të menjëhershëm


Josep Borrell

Përfaqësuesi i Lartë për Politikën e Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, përmes një postimi në rrjetin e tij social në Twitter, ka bërë të ditur se ka ftuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në Bruksel për një takim të radhës së nivelit të lartë në kuadër të dialogut.

Takimi, sipas kryediplomatit spanjoll, ka karakter urgjent dhe në funksion për të gjetur rrugëdaljen nga kriza aktuale në Veri të Kosovës.

“Ne kemi nevojë për deeskalim të menjëhershëm dhe zgjedhje të reja në Veri me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës. Kjo është parësore për rajonin dhe BE-në”, ka shkruar ndër të tjera Borrell.

Ndryshe një ditë më parë kryeministri Kurti, nëpërmjet një cicërime në llogarinë e tij në Twitter ka konfirmuar se më 22 qershor do të jetë në Bruksel duke iu përgjigjur kështu ftesës së shefit të diplomacisë evropiane, Borrell, për një takim të nivelit të lartë me Vuçiç’in.

“E përcaktova itinerarin tim për të shkuar nesër në Bruksel nga Roma, duke konfirmuar pjesëmarrjen time në takimin e nivelit të lartë të dialogut të thirrur nga Borrell. Do të insistojë për lirimin urgjent dhe pa kushte të 3 policëve të mbajtur peng nga Serbia, deeskalimin dhe normalizimin e marrëdhënieve”, shkroi Kurti.

Rrëmbimi i tre policëve kosovarë në vijën kufitare në Veri të Kosovës nga strukturat e sigurisë së Serbisë, ka shtuar shtresa të reja në një atmosferë tashmë të njohur, por kësaj here me rrezikun e rrëshqitjes drejt skajeve të përshkallëzimit të mëtejmë.

Thirrjes së kryediplomatit evropian i është përgjigjur pozitivisht vetëm kryeministri Kurti, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç – të paktën jo deklarativisht dhe jo deri më tani – nuk ka treguar gatishmëri për t’u takuar me kreun e ekzekutivit kosovar.

Qetësimi i situatës në Veri të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja lokale atje dhe kthimi në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve janë kërkesat e përbashkëta të bashkësisë së organizuar ndërkombëtare për de-eskalim, por këto ende nuk janë përmbushur nga asnjëra palë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore