Kosova

Kurti pas zgjedhjes kryeministër: Nesër e marr detyrën (VIDEO)


Albin Kurti, kryeministri i sapo zgjedhur i Kosovës, në prononcim për gazetarë

Ashtu siç u votua kryeministër brenda ditës kur u thirr seanca konstitutive, me të njëjtin ritëm të shpejtë, Albin Kurti, ka thënë se do ta marrë detyrën e t’u përvishet punëve.

Në një prononcim për media, pas votimit të qeverisë, Kurti tha se “do ta marr detyrën një orë e më parë për shkak se nuk kemi kohë për të humbur”.

“Do të bëhen të gjitha aranzhimet që nesër paradite ta marr detyrën”, përsëriti kryeministri i ri.

Kurti pohoi se i njeh problemet e vendit dhe e kupton se ato kërkojnë zgjidhje të shpejtë.

“Nevojat janë të mëdha, sfidat po ashtu, por i madh është edhe vullneti ynë”.

Për zgjedhjen e Vjosa Osmanit, partneres politike të tij, presidente të vendit, Kurti pohoi se është mirë që të përfundohet edhe ky hap i tretë dhe i fundit në konstituimin e institucioneve të vendit.

“Kosova është në krizë të shumëfishtë, nuk besoj se kemi nevojë edhe për një krizë më shumë. Sa më parë që arrijmë ta thërrasim seancën e radhës, pas zëvendësimit të deputetëve që u bën ministra, dhe ta zgjedhim presidenten Vjosa Osmani, aq më mirë do të jetë për të gjithë”

Albin Kurti me 67 vota pro, 30 kundër dhe asnjë abstenim, është zgjedhur kryeministër i Kosovës për herë të dytë.

Bashkë me Kurtin janë votuar edhe 15 ministrat e qeverisë së re “Kurti 2”.

Kurti zgjedhet kryeministër pas një fitore të paprecedentë të Lëvizjes Vetëvendosje, me mbi 50 për qind të votës popullore.

Kurtit vetë, meqë kishte një dënim të formës së prerë, iu pamundësua të jetë në listën e Vetëvendosjes, por kjo nuk ka luajtur rol dhe partia e tij shënoi fitore me distancë të madhe nga partia e dytë.

Kjo qeveri e votuar sonte, 22 mars 2021, është qeveria e parë në Kosovën e pasluftës që s’ka pasur nevojë për koalicion paszgjedhor, meqë votat janë siguruar nga deputetët e Vetëvendosjes dhe komunitet jo shumicë (veç serbëve).

Kurti nuk ka marrë asnjë votë nga partitë opozitare tashmë, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Qeverinë e Kurtit nuk e ka votuar as Lista Serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore