Kosova

Osmani dënon sulmet ndaj gazetarëve: Këto akte të dhunshme të dënohen nga të gjithë


Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dënuar ashpër sulmet ndaj gazetarëve në Veri të Kosovës, ku edhe ka kërkuar që sulmuesit të sillen para drejtësisë.

Osmani përmes një cicërime në rrjetin social “Twitter”, ka thënë se “gazetarët në Veri të vendit u sulmuan sërish brutalisht nga bandat kriminale”, duke shtuar se “ata që kryejnë këto sulme duhet të përballen me drejtësinë”.

“Përpjekjet e tyre për të destabilizuar Kosovën do të dështojnë. Këto akte të tmerrshme të dhunës së vazhdueshme duhet të dënohen nga të gjithë”, shkroi ajo në “Twitter”.

Ndërkaq e para vendit theksoi se “sundimi i ligjit do të mbizotërojë”.

Ndryshe, këtë të premte janë sulmuar disa gazetarë në Veri të Kosovës nga protestuesit e dhunshëm serbë. Ata i kanë sulmuar gazetarët me gurë, si dhe i kanë sulmuar fizikisht.

Në komunën e Leposaviqit është sulmuar fizikisht kameramani i Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Bardh Bekteshi, i cili ka pësuar lëndime të rënda edhe në kokë edhe në trup, por përveç kësaj atij i është thyer edhe kamera.

Për këtë ka reaguar ashpër edhe Asociacioni i Gazetarëve i Kosovës.

“Ekipet mediale nga Prishtina kanë qenë sot cak i një sulmi brutal derisa po kryenin punën e tyre në Leposaviq. Kameramani i RTK-së, Bardh Bekteshi, është sulmuar fizikisht siç shihet në videon shqetësuese të dërguar në Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, nga ekipet në terren”.

“Përveç sulmit fizik, Bekteshit i është thyer edhe kamera e xhirimit”, thuhet në komunikatën e AGK-së.

Ndërsa, në një deklaratë për AGK-në, gazetarja Venera Xhoxhaj, ka treguar se protestuesit i kanë gjuajtur me gurë ekipet e mediave, Tëvë1, RTV Dukagjini, RTK, Klan Kosova dhe KTV.

“Na kanë gjuajtur me gurë, disa kolegë derisa kanë qenë duke u larguar, janë rrëzuar, dhe kameramanit tonë, Bardh Bekteshi, e kanë shtyrë duke e rrëzuar pastaj edhe  sulmuar fizikisht duke i shkaktuar lëndime në kokë dhe trup”.

Nga AGK-ja i është bërë thirrje urgjente Policisë së Kosovës dhe prezencës ndërkombëtare në këtë komunë, që t’u ofrojnë siguri gazetarëve dhe kameramanëve të cilët janë duke qëndruar në atë komunë.

Teksa e kanë dënuar ashpër këtë sulm duke thënë se për të gjitha këto sulme që kanë ndodhur në veri të vendit, do të informohen organizatat ndërkombëtare që merren me sigurinë e gazetarëve dhe lirinë e medias.

Për dallim nga situata e dhjetorit kur ishin vendosur barrikada në Veri për 17 ditë e ku u sulmuan 13 punëtorë të medias, gjendja e ditëve të fundit tregon edhe për një realitet akoma më të ashpër për raportimin e gazetarëve nga Veriu.

Për vetëm katër ditë në këtë pjesë u shënuan 20 sulme ndaj mediave sërish nga persona të maskuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore