Kosova

LDK dënon sulmet ndaj gazetarëve: Sulmuesit të sillen para drejtësisë


Lidhja Demokratike e Kosovës ka dënuar sulmet ndaj gazetarëve në Veri të Kosovës.

Në një komunikatë për media nga kjo parti thanë se LDK-ja “dënon ashpër sulmet e grupeve kriminale ndaj gazetarëve në Veri të cilët ishin duke kryer detyrën e tyre për informim e pasqyrim të gjendjes reale”.

“Sulmet e vazhdueshme dhe të dhunshme e të paprovokuara janë vepra kriminale dhe në shtetet demokratike nuk kanë vend, prandaj dhe duhet të dënohen, ndërsa kryerësit e sulmeve të tilla të dalin para drejtësisë”.

Ndërkaq, ata kanë ftuar organet e sigurisë që gazetarët të mbrohen “me protokolle të posaçme në zonat e tensioneve”.

“Po ashtu edhe njëherë i bën thirrje institucioneve të Republikës së Kosovës që të marrin veprimet e duhura për të evituar destabilizimin e mëtutjeshëm të situatës”.

Ndërsa, nga partia opozitare i kanë inkurajuar të gjitha mediat dhe gazetarët që të vazhdojnë “ta pasqyrojnë qartë dhe drejtë gjendjen reale dhe të jenë në koordinim të plotë me organet e rendit dhe sigurisë”.

Ndryshe, këtë të premte janë sulmuar disa gazetarë në Veri të Kosovës nga protestuesit e dhunshëm serbë. Ata i kanë sulmuar gazetarët me gurë, si dhe i kanë sulmuar fizikisht.

Në komunën e Leposaviqit është sulmuar fizikisht kameramani i Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Bardh Bekteshi, i cili ka pësuar lëndime të rënda edhe në kokë edhe në trup, por përveç kësaj atij i është thyer edhe kamera.

Për këtë ka reaguar ashpër edhe Asociacioni i Gazetarëve i Kosovës.

“Ekipet mediale nga Prishtina kanë qenë sot cak i një sulmi brutal derisa po kryenin punën e tyre në Leposaviq. Kameramani i RTK-së, Bardh Bekteshi, është sulmuar fizikisht siç shihet në videon shqetësuese të dërguar në Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, nga ekipet në terren”.

“Përveç sulmit fizik, Bekteshit i është thyer edhe kamera e xhirimit”, thuhet në komunikatën e AGK-së.

Ndërsa, në një deklaratë për AGK-në, gazetarja Venera Xhoxhaj, ka treguar se protestuesit i kanë gjuajtur me gurë ekipet e mediave, Tëvë1, RTV Dukagjini, RTK, Klan Kosova dhe KTV.

“Na kanë gjuajtur me gurë, disa kolegë derisa kanë qenë duke u larguar, janë rrëzuar, dhe kameramanit tonë, Bardh Bekteshi, e kanë shtyrë duke e rrëzuar pastaj edhe  sulmuar fizikisht duke i shkaktuar lëndime në kokë dhe trup”.

Nga AGK-ja i është bërë thirrje urgjente Policisë së Kosovës dhe prezencës ndërkombëtare në këtë komunë, që t’u ofrojnë siguri gazetarëve dhe kameramanëve të cilët janë duke qëndruar në atë komunë.

Teksa e kanë dënuar ashpër këtë sulm duke thënë se për të gjitha këto sulme që kanë ndodhur në veri të vendit, do të informohen organizatat ndërkombëtare që merren me sigurinë e gazetarëve dhe lirinë e medias.

Për dallim nga situata e dhjetorit kur ishin vendosur barrikada në Veri për 17 ditë e ku u sulmuan 13 punëtorë të medias, gjendja e ditëve të fundit tregon edhe për një realitet akoma më të ashpër për raportimin e gazetarëve nga Veriu.

Për vetëm katër ditë në këtë pjesë u shënuan 20 sulme ndaj mediave sërish nga persona të maskuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore