Kosova

KFOR: “E paqartë se ku ndodheshin policët e Kosovës në momentin e arrestimit”


Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka reaguar për rastin e rrëmbimit të tre policëve të Kosovës nga xhandarmëria serbe, duke thënë se mbetet e paqartë se ku kanë qenë policët e Kosovës në momentin e rrëmbimit.

Në komunikatën e KFOR-it thuhet se “pas ndalimit më 14 qershor të tre oficerëve të Policisë së Kosovës, misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO shqyrtoi vendndodhjen e ngjarjes dhe foli me përfaqësues të institucioneve në Kosovë dhe të autoriteteve serbe”.

“Bazuar në të dhënat e disponueshme, mbetet e paqartë se ku ndodheshin policët e Policisë së Kosovës në momentin e arrestimit”.

Ndërkaq, aty thuhet se në këtë lokacion, afër vijës kufitare administrative, si institucionet në Kosovë ashtu edhe autoritetet serbe “kanë përgjegjësi të qarta për t’u koordinuar me KFOR-in”.

“I rikujtojmë të dyja palëve përgjegjësitë e tyre sipas Marrëveshjes Ushtarako-Teknike ndërmjet Serbisë dhe KFOR-it, si dhe procedurat për koordinim ndërmjet Policisë së Kosovës, përfshirë Policinë Kufitare dhe KFOR-it.”

“Kujtojmë gjithashtu të gjitha palëve se vendosja e Forcave të Sigurisë së Kosovës në veri të Kosovës kërkon pëlqimin paraprak të komandantit të KFOR-it”.

Ata i bënë thirrje Kosovës dhe Serbisë që “t’u përmbahen këtyre marrëveshjeve dhe procedurave për të bashkëpunuar me KFOR-in”.

“Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve të përmbahen nga retorika provokuese dhe të shmangin çdo veprim të njëanshëm që mund të përshkallëzojë tensionin në zonë”.

Po ashtu, ata deklaruan se mirëpresin të gjitha përpjekjet e komunitetit diplomatik “për zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe mbështet dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”.

“Në koordinim me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, KFOR-i vazhdon të kryejë mandatin e tij si reagues i tretë – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të sigurt dhe për të siguruar lirinë e lëvizjes, për të mirën e të gjitha komuniteteve në Kosovë”.

Gjithashtu, njoftojnë se Gjeneralmajor Ristuccia, komandant i KFOR-it, është në kontakt të rregullt me ​​përfaqësues të institucioneve dhe organizatave të sigurisë në Kosovë, “si dhe me përfaqësues të Forcave të Armatosura të Serbisë, Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), OSBE-së dhe komunitetit diplomatik”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore