Kosova

Kurti për ftesën e Borrell-it: Ende s’kam vendosur, thirrja e tij e çuditshme


Albin Kurti

Albin Kurti, nuk ka vendosur ende se a do të merr pjesë në takimin e nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel, javën e ardhshme, pas ftesës së përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, për një takim urgjent për menaxhimin të krizave, meqë situata në Veri të Kosovës është e tensionuar si pasojë e vendimit të Qeverisë së Kosovës për të instaluar kryetarët e sapozgjedhur në ndërtesat komunale, nën asistencën e Policisë së Kosovës në njërën anë dhe kidnapimit të tre policëve kufitar nga shteti i Serbisë në anën tjetër.

“Ende nuk kam vendosur, por do ta informojë Borrellin me kohë”, ka thënë fillimisht ai.

Ani pse kryeministri i Kosovës, paraprakisht, gjatë fjalimit të tij në kuadër të Forumit të Prespës, tha se Qeveria e Kosovës është e gatshme që në çdo kohë të ulet në tryezën e bisedimeve në Bruksel, mëdyshja e tij për ta bërë një gjë të tillë në këtë fazë buron, siç tha ai, nga qasja paksa e çuditshme e kryediplomatit spanjoll, Borrell.

“Ftesa e fundit e Josep Borrell për t’u takuar javën e ardhshme në Bruksel më duket paksa e çuditshme, sepse javën e kaluar kur propozova të takohemi në Bruksel, Borrell tha se njëherë na duhet de-eskalim ndërsa menjëherë pas kidnapimit të tre policëve nga njësia speciale e Serbisë, Borrelli kërkon takim të nivelit të lartë, kur eskalimi është i madh sa një mal atëherë marrë ftesë që të shkojë në takim të nivelit të lartë kurse kur kërkova vetë takim paraprakisht thanë se nevojitet njëherë de-eskalim”, ka potencuar ai.

Një pesimizëm të fortë për procesin e dialogut ka shfaqur edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, përmes një postimi në rrjetin e tij social në Facebook, meqë faktori ndërkombëtar, në veçanti BE-ja po kalon me lehtësi duke mos e ndëshkuar interferimin e Serbisë në stabilitetin dhe sovranitetin e Kosovës.

Serbia, sipas numrit dy të Lëvizjes Vetëvendosje, po dëshmon se dëshiron patjetër tension dhe konflikt në Kosovë duke penguar të drejtën ligjore të kryetarëve të zgjedhur të komunave për ta ushtruar detyrën në institucionet komunale, duke rrëmbyer tre policë kufitarë e duke sulmuar pjesëtarë të KFOR-it e gazetarë.

“Çfarë fqinjësie të mirë dhe normalizimi raportesh mes dy vendeve mund të pretendohet nëse Bashkimi Evropian e toleron një sjelle të tillë armiqësore të Serbisë ndaj Kosovës. Nëse BE e toleron këtë agresion të vazhdueshëm të Serbisë, atëherë përfundimisht dialogut po i humbet kuptimi”, ka shkruar Konjufca.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore