Kosova

Borrell paralajmëron takim Kurti-Vuçiç javën e ardhshme – kidnapimin e policëve e quan arrestim


Josep Borrell

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, në një prononcim para gazetarëve të enjten, ka njoftuar se përgjatë javës tjetër do t’i ftojë në “takim krize” kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, lidhur me krizën në veriun e Kosovës.

Para takimit të ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian me NATO-n, diplomati spanjoll komentoi edhe kidnapimin e tre zyrtarëve policorë të Kosovës nga xhandarmëria serbe në vijën kufitare. Megjithatë, ai e quajti “arrestim” aktin e së mërkurës, sipas pretendimeve të autoriteteve serbe.

“E dini se ka pasur një incident atje lidhur me arrestimin e tre zyrtarëve policorë nga Kosova dhe ne po përpiqemi të kuptojmë saktë se çka ka ndodhur. Jemi në kontakt të ngushtë me komandantin e KFOR-it dhe të dyja palët në mënyrë që të shohim se çka ka ndodhur në të vërtetë që ka shpirë në këtë arrestim”, tha ai.

“Në ndërkohë, duhet të bëjmë thirrje për qetësi në terren dhe duke parë situatën që po përkeqësohet çdo ditë, ne jemi në një modalitet të menaxhimit të krizave. Do t’i ftoj të dyja palët, Kosovën dhe Serbinë, për një takim për menaxhim krize këtu në Bruksel javën e ardhshme”, shtoi kreu i diplomacisë evropiane.

Tre zyrtarë kufitarë janë kidnapuar nga forcat serbe të mërkurën gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës. Megjithatë, autoritetet serbe pretendojnë se ata janë “arrestuar” nga njësitet anti-terror të xhandarmërisë serbe brenda territorit të Serbisë.

Autoritetet e Kosovës kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve policorë të rrëmbyer nga policia serbe të mërkurën, reagimin e bashkësisë së organizuar ndërkombëtare lidhur me këtë rast dhe dënimin e Serbisë për agresionin e shfaqur ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial.

Vendet partnere të QUINT-it – Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia – nuk kanë reaguar akoma lidhur me këtë akt, i cili nga autoritet e Kosovës është cilësuar si cenim i rëndë i sovranitetit dhe tregues i qartë se shteti serb dëshiron të nxisë tensione në mes dy vendeve.

Arrestimi i tre policëve kosovarë nga njësitet elitare të Policisë së Serbisë në vijën kufitare me Kosovën, ndodhi pikërisht në një periudhë tensionesh të larta ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, veçanërisht në pjesën veriore të Kosovës të banuar serbë etnikë.

Kufijtë kohorë janë ngjeshur – sanksionet ndaj Kosovës në prag

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore