Kosova

Stano për Albanian Post: Po presim të kuptojmë saktësisht çka ka ndodhur, jemi në kontakt me të gjitha palët


Peter Stano

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Peter Stano, në një përgjigje për Albanian Post, ka thënë se për kidnapimin e tre zyrtarëve policorë të Kosovës nga xhandarmëria serbe në vijën kufitare, ende nuk kanë informacione të sakta, porse në Bruksel po presin për t’u informuar nga të gjitha palët për rrjedhën e situatës.

“Ne jemi – si çështje urgjente – në kontakt me të dyja palët, si dhe me KFOR-in, për të përcaktuar se çfarë dhe si ka ndodhur saktësisht”, tha Stano, ndërsa  shtoi se Kosova dhe Serbia duhet të përmbahen nga çdo veprim apo reagim që mund të kontribuojë më tej në ngritjen e tensioneve.

Tre zyrtarë kufitarë janë kidnapuar nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës. Megjithatë, autoritetet serbe pretendojnë se ata janë arrestuar nga njësitet anti-terror të xhandarmërisë serbe brenda territorit të Serbisë.

Nga ana tjetër, autoritetet e Kosovës kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve policorë të rrëmbyer nga policia serbe të mërkurën, reagimin e bashkësisë së organizuar ndërkombëtare lidhur me këtë rast dhe dënimin e Serbisë për agresionin e shfaqur.

Vendet partnere të QUINT-it – Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia – nuk kanë reaguar akoma lidhur me këtë akt, i cili nga autoritet e Kosovës është cilësuar si cenim i rëndë i sovranitetit dhe tregues i qartë se shteti serb dëshiron të nxisë tensione në mes dy vendeve.

Arrestimi i tre policëve kosovarë nga njësitet elitare të Policisë së Serbisë në vijën kufitare me Kosovën, ndodhi pikërish në një periudhë tensionesh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, veçanërisht në pjesën veriore të Kosovës të banuar serbë etnikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore