Kosova

Kelani: Serbia i përdorë kidnapimet për t’i mbrojtur kriminelët, i kemi informuar mekanzimat ndërkombëtarë


Baki Kelani

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, në një konferencë për media të mërkurën, ka thënë se të gjitha informacionet e autoriteteve kosovare të sigurisë janë ndarë me mekanizmat ndrkombëtarë lidhur me kidnapimin e tre zyrtarëve policorë nga xhandërmëria serbe brenda territorit të Kosovës.

Kelani ka deklaruar se shteti serb “kidnapimet klasike” i ka përdorur edhe në të kaluarën dhe po vazhdon me këtë metodë vetëm për t’i mbrojtur kriminelët dhe për të minuar përpjekjet e autoriteteve kosovarë për të ndaluar kontrabandën e mallrave, herë-herë edhe ato të armëve.

“Një kidnapim i tillë nga forcat serbe që dëshirojnë ta mbajnë të destabilizuar Kosovën kishte ndodhur edhe më 2011 ku ishin kidnapuar dy zyrtarë. Kidnapime të tilla klasike forcat serbe po i përdorin që t’i mbrojnë kriminelët që kërkohen nga Policia e Kosovës”, pohoi Kelani.

Ai tha se autoritetet kosovare të sigurisë kanë pasur informacione paraprake, ngase siç bëri me dije ai, zyrtarët policorë të Kosovës janë ballafaqur me provokime nga ata të Serbisë, të cilët, janë ekspozuar në linjën kufitare në bazë ditore.

“KFOR-i është njoftuar dhe ne jemi koordinuar, por përveç KFOR-it, i kemi njoftuar të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë, duke kërkuar që të bëhet trysni ndaj Serbisë që zyrtarët tanë të lirohen. Çdo informatë e kemi ndarë me KFOR-in. Ata kanë thënë se i kanë pranuar dhe tash janë në procedurë”.

Kelani demantoi pretendimet e drejtorit të të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, i cili tha se policët e kidnapuar të Kosovës nga xhandermeria serbe “ishin të armatosur deri në dhëmbë” dhe “janë arrestuar në thellësi të territorit të Serbisë qendrore”.

“Njësia policore patrulluese e kufirit ka qenë me detyrë zyrtare në pikë statike në vendin e quajtur Bare në territorin e Kosovës. Të njëjtit kanë qenë duke kryer detyrat zyrtare që të parandalojnë veprimet ilegale; grupet kriminale të shfrytëzojnë rrugët ilegale, të parandalojnë mallrat dhe armatimin në atë pjesë”, tha Kelani.

Tre zyrtarë kufitarë janë kidnapuar nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës. Megjithatë, autoritetet serbe pretendojnë se ata janë arrestuar nga njësitet anti-terror të xhandarmërisë serbe.

Nga ana tjetër, kryeministri Albin Kurti, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve policorë të kidnapuar nga xhandarmeria serbe si dhe reagimin e bashkësisë ndërkombëtare lidhur me këtë rast.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore