Kosova

Financial Times: Furnizimi me municione i Ukrainës nga Serbia ktheu Perëndimin nga Vuçiç-i


Aleksandër Vuçiç

Deklarata e presidentit ti Serbisë, Aleksandër Vuçiç, se nuk është kundër që vendi i tij t’u shesë municion Ukrainës, për Financial Times është shenjë e fortë se aleati kryesor ballkanik i Rusisë po kthehet kah perëndimi.

“A ka mundësi që të ndodhë? Nuk kam asnjë dyshim se mund të ndodhë”, ka thënë Vuçiç për Financial Times.

Në një artikull të kushtuar për marrëdhëniet në mes të Serbisë dhe Rusisë, Financial Times, vëren se lëvizja pozitive e Beogradit zyrtar për të ndihmuar me armatim Ukrainën, e cila po zhvillon një qëndresë të pashembullt ndaj agresorit rus, ka pasuar me një ndryshimi të dukshëm të qasjes së komunitetit ndërkombëtar ndaj Serbisë.

“Sipas tre diplomatëve perëndimorë në rajon, dërgesa e municioneve serbe në frontin ukrainas ka qenë një faktor vendimtar në një ndryshim të dukshëm pasi SHBA, NATO dhe BE së fundmi mbështetën Serbinë në një ndezje të tensioneve etnike në Kosovë”, shkruan artikulli.

I pyetur nëse ishte një hap i qëllimshëm për të fituar miratimin e kryeqyteteve perëndimore, Vuçiç pohoi se Beogradi u përpoq të vepronte në një “mënyrë neutrale”.

“Por unë nuk jam budalla. Jam i vetëdijshëm se disa nga armët mund të përfundojnë në Ukrainë.”

Vuçiç duke tentuar të përshkruaj ftofjen e raporteve në mes të Beogradit dhe Moskës ka thënë për Financial Times se kohët kur ai fliste me presidentin rus Vladimir Putin çdo tre muaj kishin mbaruar, duke theksuar se ai nuk ka qenë në kontakt me Kremlinin për një vit përveç pritjes së vizitorëve nga Moska.

“Kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë,” tha ai.

Lidhjet e forta të Serbisë me Rusinë dhe potenciali i saj për të prishur sigurinë rajonale kanë bërë që kryeqytetet perëndimore të miratojnë një qëndrim më të butë ndaj Beogradit.

“Duke pasur parasysh rrezikun e përshkallëzimit ushtarak në Kosovën Veriore, qeveritë perëndimore nuk duan të rrezikojnë të kenë një konflikt tjetër në Evropë”, kanë thënë në anën tjetër analistët e agjencisë globale për inteligjencës së mbrojtjes, “Janes”, Stefano Marras dhe Ines Gonzalez.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore