Kosova

Deputeti i VV-së, ministrit Murati: Mos fol të pavërteta, marre


Foto nga Albanian Post

“Mos fol të pavërteta se është marre” i ka thënë deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani, ministrit të Financave, Hekuran Murati, kur ky i fundit në komisionin parlamentar tha se deputetët kanë këshilltarë më shumë se sa Qeveria.

“E tërë qeveria ka më pak se sa deputetët që kanë asistentë tani”, tha Murati duke deklaruar kështu se ai dhe kabineti i Qeverisë Kurti po shkurtojnë venet e panevojshme të punës.

Me konstatimin s’është pajtuar deputeti Rrahmani, i cili e sfidoi ministrin të tregonte saktësisht sa asistentë paskan deputetët që po tejkalokan numrin e këshilltarëve të qeverisë.

“Sa asistentë i kanë deputetët tani, thuaje? Nëse ka më pak, sa?”, pyeti ai ministrin.

“Të gjithë deputetët, nëse janë 120, do të duhej të kishin 120 asistentë”, ia kthej Murati.

“A do të duhej a janë? Atëherë mos fol të pa vërteta sepse nuk i kanë marrë të gjithë deputetët asistentët, kështu që nuk mund të flasësh për të pavërteta”, deklaroi Rrahmani, duke shtuar se edhe sikur t’i merrnin gjithë deputetët nga një asistent, siç parashihet tash me rregulloren e re, prapë do të ishte e pamundur të kishin më shumë këshilltar se Qeveria që për secilën ministri ka afërsisht dhjetëra këshilltarë.

“Edhe nëse marrin të gjithë, ju prape keni më shumë sesa deputetët që kanë. Sa këshilltarë janë?”.

“Nga 6 këshilltarë” tha Murati, “15 ministri nga gjashtë këshilltarë bëjnë 90”.

“Sa i ka kryeministri? Sa janë te zëvendës kryeministrat? Mos se është marre kështu. Ku e ke problemin me deputetë?”, ia kthej Rrahmani.

“Pse duhet t’i sulmosh sa herë që vjen në komision këtu? Po thua të pa vërteta, po thua që këshilltarë të deputetëve ka më shumë se në qeveri, sa është numri i atyre dhe këtyre dhe jemi në rregull.  Nuk është e vërtetë ajo që po e thua asnjëra, as ajo për qeverinë as kjo për deputetët”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore