Kosova

Vuçiç takon Borrell’in: Diskutuam situatën “komplekse” në Kosovë, Prishtina ta ndalojë “dhunën” e të kthehet në dialog  


Aleksandër Vuçiç dhe Josep Borrell

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, këtë të enjte, ka takuar në margjinat e Samitit të Komunitet Politik Evropian, shefin e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Vuçiç, përmes një postimi në rrjetin e tij social në Facebook, ka bërë të ditur se në takim me Borrell është diskutuar “situata komplekse në Kosovë si dhe për pasojat e sjelljes së papërgjegjshme të institucioneve në Prishtinë”.

Në një bisedë të hapur me top-diplomatin spanjoll, Vuçiç, ka theksuar se Serbia është gatshme të qaset zgjidhjes së çështjeve të hapura me Kosovën në kuadër të dialogut me përgjegjësi, ndërgjegje e seriozitet.

“Serbia me durim e me qetësi i është përgjigjur të gjitha lëvizjeve dhe provokimeve të njëanshme. Për Serbinë siguria e komunitet serb në Kosovë ka qenë gjithmonë prioritet”, ka shkruar Vuçiç në Facebook.

Në takim me Borrell, Vuçiç njoftoi se është diskutuar edhe për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Asociacioni është obligim themelor. Prioritet është që institucionet e Kosovës të ndalojnë dhunën dhe t’i kthehen dialogut”, ka shtuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore