Kosova

Admirali i NATO-s në Kosovë takon QUINT-in, diskutojnë për t’i dhënë fund dhunës dhe rikthimin në dialog


Ilustrim: Stuart B. Munsch

Komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s, Stuart B. Munsch, këtë të mërkurë ka vizituar Kosovën, pas situatës së krijuar në Veri të Kosovës.

Munsch është takuar me Komandantin e KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia, për të diskutuar planet dhe operacionet e ardhshme për të ruajtur, me paanshmëri ndaj të gjitha palëve, një mjedis të sigurt në Kosovë, në përputhje me mandatin e KFOR-it në OKB, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Munsch, bëri të ditur se në takim me Ristuccia ka diskutuar për mundësinë e dislokimit të një batalioni tjetër rezervë në Kosovë, i cili është vendosur në gatishmëri të lartë ditët e fundit.

“Diskutimet e tyre përfshinin angazhimin e 700 trupave shtesë nga batalioni rezervë i thirrur në Kosovë nga NATO për të normalizuar situatën dhe për të garantuar sigurinë, si dhe angazhimin e mundshëm të një batalioni tjetër rezervë që është vendosur në gatishmëri të lartë”.

Munsch ka vlerësuar largpamësinë dhe veprimet e KFOR-it në parandalimin e lëndimeve dhe humbjeve të jetëve nga dhuna e 29 majit në Kosovë.

Munsch është takuar gjithashtu me ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara për t’u konsultuar me ta për mbështetjen e tyre për një rikthim në dialog dhe për t’i dhënë fund dhunës.

Munsch e ka mbyllur vizitën e tij duke u bërë thirrje “të gjitha palëve, përfshirë ato që vendosën kushtet për dhunën më 29 maj, të përmbahen nga vendimet dhe veprimet e mëtejshme të papërgjegjshme dhe në vend të kësaj të angazhohen në negociata diplomatike në mirëbesim për të përmirësuar marrëdhëniet, brenda kuadrit të dialogut të lehtësuar nga BE-ja”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore