Kosova

Kosovë: Pakënaqësi brenda LDK-së, ekipi i vjetër me kritika për ekipin e ri


Lidhja Demokratike e Kosovës veç kryetarit, ka zgjedhur edhe kryesinë e re. Disa prej atyre që njihen si “garda e vjetër”, kanë mbetur jashtë kësaj kryesie. Por, pakënaqësitë kanë nisur të shfaqen hapur brenda kësaj partie.

Në kryesinë e re, nuk janë përfshirë ish-nënkryetarët e partisë Agim Veliu dhe Haki Rugova.

Po ashtu, edhe anëtarët e tjerë si Ismet Beqiri, Muharrem Svarqa, Skënder Hyseni, Arban Abrashi, Naser Osmani e Florian Dushi kanë mbetur jashtë.

Në listë kanë hyrë katër nënkryetarët, si Anton Quni, Gazmend Muhaxheri, Lutfi Haziri dhe nënkryetarja e re, Shqipe Mjekiqi, emri i së cilës është ngritur direkt në listën e kryesisë.

Pjesë e kryesisë së re do të jenë edhe Alban Zogaj, Faton Bislimi e Muhamet Hamiti dhe Sibel Halimi po ashtu emër i ri në anëtarësinë e LDK-së.

Disa prej atyre të cilët kanë mbetur jashtë kësaj liste, kanë shfaqur edhe pakënaqësitë e tyre.

Deputeti i zgjedhur nga radhët e LDK-së, Driton Selmanaj, ka thënë se çdo përpjekje për ta diferencuar Vjosa Osmanin nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është përpjekje “për ta transferuar mashtrueshëm votën tek projekti i këtij binomi të dëmshëm politik”.

Sipas tij, “Turri dhe vrapi” për ta takuar Osmanin, “nuk është asgjë tjetër pos turr për ta rrëzuar edhe më shumë LDK-në dhe dinjitetin e 110 mijë votuesve të saj”, ka shkruar Selmanaj në llogarinë e tij në Facebook.

Selmanajt i është kundërpërgjigjur nënkryetari i LDK-së, Anton Quni, i cili ka thënë se kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, “ishte i fundit nga liderët e partive që takoi Osmanin në konsultim gjithëpërfshirës me strukturat e LDK-së”.

“Nuk kishte as turr e as vrap”, ka shkruar Quni në llogarinë e tij në Facebook.

Lidhur me kundërpërgjigjen e Qunit, Driton Selmanaj sërish ka reaguar duke e quajtur Qunin si “gjeneratë e re reformatore”.

Ai ka thënë se pajtohet që zëri i qytetarëve duhet dëgjuar mirëpo reflektimi duhet të nisë nga ata që janë në krye të pozitave brenda këtij subjekti politik, për një kohë të gjatë.

“Pajtohem që zërin qytetar duhet dëgjuar me shumë kujdes, dhe që reflektimi të ndodh me domosdoshmëri, por ky reflektim duhet të filloj pikërisht nga ata që për 20 vite mbajtën pozita të rëndësishme në LDK, dhe ata që në degët e tyre në zgjedhjet e fundit humbën mbi 50% të elektoratit të LDK-së”, ka shkruar Selmanaj.

Tutje ai shtoi se “është e ligë dhe tejet e ulët që të tillët të na ripaketohen si reformator apo “dream team”!, sepse sipas tij kjo kohë ka kaluar.

Ndërkaq, sekretari i përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Imri Ahmeti, ka thënë se Abdixhiku e ka përkrahjen e plotë të kryesisë për t’u takuar me Osmanin.

“Në Kryesi dje i është dhënë mbështetje e plotë kryetarit Abdixhiku për vazhdimin e bisedimeve. Qëndrimet personale të kujtdo qofshin nuk e përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të LDK-së”, është shprehur ai për mediat vendore.

Tutje ai ka theksuar se LDK-ja “duhet ta dëgjojë zërin e qytetarëve dhe ata që vepruan në kundërshtim me këtë praktikë duhet të reflektojnë përfundimisht”.

Reagime të tilla ka shprehur edhe ish-deputeti, Naser Rugova, i cili ka deklaruar se kryetari i ri i LDK-së, Lumir Abdixhiku po eksperimenton me LDK-në.

Ai ka theksuar se partia ORA dhe FER, janë refuzuar nga elektorati i Kosovës.

“Pse kjo formulë e dështuar politike duhet të riciklohet në majat e LDK-së, si parti tradicionale dhe themeltare e shtetit të Kosovës? Çka është ky eksperiment me LDK-në që po e bën Kryetari i ri? Ku duam të shkojmë kështu?”, ka shkruar Rugova në Facebook.

Po ashtu, Ish-deputetja e LDK-së, Melihate Tërmkolli, ka reaguar pas zgjedhjes së Lumir Abdixhikut, kryetar i kësaj partie dhe krijimit të organeve udhëheqëse të saj, në të cilat ajo nuk është përfshirë.

Tërmkolli, përmes një postimi në Facebook, tha se “e djathta kombëtare në Kosovë si formacion politik edhe formalisht ka ra me rënien e LDK-së në duar të “Soros-istëve”, “Ora-istëve” “Riinvest-ëve” dhe pa kurrizorëve tjerë që e quanin veten rugovistë. Në një Kosovë me shumicë djathtiste!”

Pakënaqësinë e saj me zgjedhjen e Abdixhikut në krye të LDK-së, Tërmkolli e ka shprehur menjëherë pas përfundimit të Kuvendit Zgjedhor më 14 mars, kur kishte cituar vargje nga poema ‘Metamorfoza’ të  Gjergj Fishtës , “le ta dijë bota mbarë se nga sot nuk jam shqiptar”.

Ish anëtari i kryesisë së LDK-së, Haki Rugova, ka thënë se e respekton vendimin e Këshillit të Përgjithshëm dhe se nuk ka asgjë të keqe mbetja e tij jashtë kryesisë.

‘’Po, ani? Ashtu ka vendos Këshilli i Përgjithshëm edhe jemi në rregull. Ka qenë një vendim me propozim të kryetarit. Këshilli i Përgjithshëm e ka marrë vendimin edhe është krijuar kryesia e re. Kurrgjë të keqe s’ka. Jam në Këshill të Përgjithshëm, në kryesi nuk jam, edhe kaq’’, ka thënë Rugova për media.

Pas dorëheqjes së Isa Mustafës, në krye të LDK-së ka ardhur Lumir Abdixhiku. 

Ai pas ardhjes në krye të partisë ka thënë se rrugëtimin për ndryshim do ta nisin nga vetvetja.

“Sot po e hapim një faqe të re të rrugëtimit tonë politik me synime e qëllime të qarta për ta kthyer LDK-në në vendin e saj origjinal… sot, megjithatë ne duhet të veprojmë, të bashkohemi rreth njëri tjetrit dhe të hapemi për të tjerët, LDK nuk ka njerëz për të humbur por nuk ka as njerëz mjaftueshëm për të ecur përpara”, kishte thënë Abdixhiku gjatë fjalimit të tij të parë, pasi mori këtë pozitë.

Në këto zgjedhje LDK është përgjysmuar. Tani ajo renditet si subjekti i tretë politik, ku gjithsejtë ka arritur të sigurojë 15 ulëse nga 120 sa ka kuvendi i Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore