Kosova

Politikanët e Luginës takohen me senatorin Peters: Lugina mbetet pjesë e agjendës së Senatit të SHBA-së


Senatori amerikan, Gary Peters, gjatë vizitës së tij në Serbi është takuar edhe me liderët politikë shqiptarë të Luginës së Preshevës.

Për këtë takim ka njoftuar deputeti i shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, si dhe kryetari i sapozgjedhur i Këshilli Kombëtar Shqiptar në Serbi, Nevzad Lutfiu.

Kamberi përmes një postim në rrjetin social “Facebook”, pas takimit me senatorin amerikan ka thënë se “Lugina mbetet pjesë e agjendës së Senatit të SHBA-së”.

“Ishte një mundësi e jashtëzakonshme për të trajtuar çështjet kritike me të cilat përballen shqiptarët veçanërisht duke u fokusuar në diskriminimin, nënpërfaqësimin dhe nevojën për reciprocitet me komunitetin serb në Kosovë”, shkroi Kamberi në Facebook.

Ai tregoi se në bisedën me senatorin Peters ka theksuar “sfidat dhe shqetësimet e komunitetit shqiptar, duke nënvizuar rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave të tyre dhe sigurimin e pjesëmarrjes së tyre aktive në sferën politike dhe sociale”.

“Ne i shprehëm mirënjohjen Senatorit Peters për mbështetjen dhe përkushtimin e tij për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe barazinë për të gjithë”.

Temë e diskutimi ka qenë gjithashtu edhe “diskriminimi, pasivizimi i adresave e nënpërfaqësim diskutuam gjatë takimit”.

“Theksova nevojën për përfshirje më të madhe të komunitetit shqiptar në proceset dhe institucionet republikane, ndërprerjen e diskriminimit e rikthimin e adresave”, shtoi Kamberi.

Gjithashtu, Kamberi në takimin me senatorin amerikan ka këkrkuar që të ketë reciprocitet të të drejtave në mes të shqiptarëve në Serbi dhe serbëve në Kosovë.

“Theksuam rëndësinë e një qasjeje të balancuar dhe marrëveshjeve reciproke të dobishme që adresojnë shqetësimet dhe aspiratat e shqiptarëve të Luginës në dialogun Kosovë-Serbi”.

Nga ana tjetër, Nevza Lutfiu ka thënë se senatorit Peters i ka bërë me dije se pozita e kryetarit të Këshillit Nacional “është detyra më e vështirë, sepse përfaqëson shoqërinë më të diskriminuar ne rajon, është rast i vetëm në Evropë dhe shumë i rrallë në botë ku shteti e diskriminon një pakicë vetëm për shkak të përkatësië etnike”.

“Për shkak të kësaj gjendjeje, kemi një mungesë totale të perspektivës në Luginë. Të rinjtë duke e parë këtë gjendje, kanë braktisur në mënyrë masovike vendin, ku edhe përkundër shkollimit të tyre, nuk kanë pasur mundësi që të integrohen nëpër institucionet që gjenden në Luginë të Preshevës”, shkroi Lutfiu në Facebook.

“Të rinjtë e Luginës që kanë studiuar në Kosovë (e shumica prej tyre ka studiuar e vazhdojnë të studiojnë në Kosovë për shkak të afërsisë gjeografike), në Serbi nuk mund të punësohen, sepse nuk i njihen diplomat, pra e vetmja zgjidhje për ta është emigrimi (i detyruar)”.

Tutje, ai tregoi se e ka ngritur edhe çështjen e pasivizimit të adresave të shqiptarëve nga shteti serb, çështje që u diskutua edhe në Komisionin për Punë të Jashtme të Senatit Amerikan.

“Kemi edhe raporte ndërkombëtare që flasin për këtë fenomen i cili konsiderohet absolutisht shkelje e të drejtave të njeriut. Janë vetëm emrat tanë që na identifikojnë si shqiptarë në Serbi, të gjitha elementet e tjera të cilat dëshmojnë mbi përkatësinë etnike, janë inekzistente”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore