Shqipëria

Përmirësim i vogël, por s’po bëhemi demokraci liberale, sipas Freedom House


Regjimi në Shqipëri cilësohet si hibrid/demokraci në tranzicion, por për vitin 2023, raporti i fundit i organizatës Freedom House, ka treguar se ka një përmirësim të klimës, edhe pse problemet thelbësore vijojnë.

Nga 3.75 në 3.79, me një shkallë vlerësimi që varion prej 1 deri në 7 pikë, shkon pikavarazhi që Shqipëria mbledh në raportin e fundit të Freedom House, ku aspekte si lufta ndaj korrupsionit, kanë shënuar rritje me 0.25 pikë përqindjeje, nga 2.75 në 3.00.

Ndërsa, treguesit e tjerë, mbeten të pandryshuar sipas raportit, ku pasqyrohet një “sfidë” që institucioneve demokratike u bëhet nga politika partiake dhe klienteliste, si edhe nga zvarritja e procesit të vetingut në Shqipëri, apo korrupsioni i “shfrenuar”.

“Korrupsioni mbetet i përhapur, duke kontribuar në mosfunksionimin e institucionit publik dhe duke kufizuar aftësinë e tij për të ofruar shërbime efektive. Megjithëse agjencitë e reja ligjzbatuese si SPAK, krijuar në vitin 2019, tregojnë shenja premtuese në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivelet më të larta, ndikimi politik mbi gjyqësorin në rastet e korrupsionit vazhdojnë ende të jenë shqetësim”.

Kështu shkruhet në raportin e publikuar fillimisht nga Zëri i Amerikës, lidhur me “Vendet në Tranzicion 2023”.

Një shqetësim real ndërkaq lidhet me mjedisin mediatik, ku si në pjesën më të madhe të rajonit, mediat e pavarura po tkurren në bazë të raportit të Freedom House dhe raportimet po bëhen gjithnjë e më të vakëta.

Aktorët e shoqërisë civile po ashtu janë në pozitë të vështirë, siç përshkruhet, pasi gjithnjë e më shumë ndaj tyre shtohen pengesat apo kërcënimet.

Lidhur me këto aspekte, për Zërin e Amerikës, ka folur edhe një prej hartueseve të raportit, Alexandra Karppi, e cila thekson se edhe zgjedhjet e 14 majit 2023, ishin një shembull i “kapjes së shtetit nga parti të caktuara”.

Kjo, sipas saj, të bën të mendosh se e njëjta gjë do të shihet edhe në të ardhmen, me një status quo politike, e cila ka të ngjarë të vijojë.

Në kapitullin për Shqipërinë, thuhet se në vitin 2022, demokracia u rezistoi sfidave të shumta, veçanërisht gjatë zgjedhjeve të posaçme vendore të marsit, si dhe riorganizimeve të brendshme të partive politike dhe bashkëpunimit ndërpartiak për zgjedhjen e Presidentit Bajram Begaj.

Megjithatë, vendi ka bërë pak përparim të qëndrueshëm drejt shndërrimit në një demokraci liberale të vërtetë dhe ende klasifikohet si një demokraci hibride.

Liderë me grusht të hekurt

Demokracitë partiake janë në kolaps në Shqipëri, drejtohen nga liderë me grusht të hekurt

Shumica e partive politike mbizotërohen nga udhëheqës me grusht të hekurt dhe kjo mungesë e demokracisë së brendshme partiake u demonstrua në mënyrën se si u përzgjodhën kandidatët për zgjedhjet e posaçme lokale, drejtuesit e degëve të partive lokale dhe kandidatët për zgjedhjet lokale të majit 2023.

Janë këto gjetjet nga raporti i fundit i Freedom House, i publikuar së fundmi nga Zëri i Amerikës, ku shpjegohet se si drejtimi autoritar i brendshëm i partive politike, ka edhe ndikimin në nivelin e demokracisë në vend.

Në bazë të analizës së gjerë të raportit, duke nisur nga përplasjet politike brenda Partisë Demokratike, e më tej për nga fitoret e njëpasnjëshme të socialistëve, mbizotërimi i skenës politike në vend vijon të mbetet me figura të pandryshuara.

Në këtë pikë është përqendruar edhe media, gjatë vitit 2022 dhe vijimësisht në 2023, duke anashkaluar edhe problemet socio-ekonomike të shqiptarëve.

Ndër të tjera, raporti përshkruan qartë edhe dinamikat e brendshme të partive, ku tre kryesoret (Socialiste, Demokratike, Partia e Lirisë), në zgjedhjet e tyre të brendshme e kishin të paracaktuar dhe të ndikuar rezultatin për udhëheqësin e forcës.

Kjo nxjerr në pah demokracinë e kufizuar të brendshme partiake të Shqipërisë, ku udhëheqësit e partive ruajnë me grusht të hekurt kontrollin, me sundim autokratik”, thuhet në raport.

Një shembull tjetër i marrë, është edhe ai i përzgjedhjes së Presidentit të Republikës, ku pavarësisht se në fillim ngjau sikur do të kishte gjithëpërfshirje, me një figurë konsensuale, ishte PS-ja në pushtet, ajo e cila e zgjodhi Bajram Begajn në krye të shtetit.

Shqetësime ka pasur edhe sa i takon ndryshimeve në Qeveri, me zëvendësimin e Arben Ahmetajt në rolin e zëvendëskryeministrit, me Belinda Ballukun, ku sipas Freedom House, shkarkimi i Ahmetajt ngjalli shqetësime në lidhje me procesin e qeverisë për dhënien e kontratave të prokurimit publik.

Duke folur për çështjen inceneratorëve, në raport thuhet se sipas vëzhguesve, nëse SPAK do të mund të provonte akuzat, ka të ngjarë të ekspozonte aktivitete korruptive të politikanëve të ndryshëm të lartë, përfshirë lidhjet me interesa të dyshimta dhe rrjete të krimit të organizuar.

Teksa, përpjekje për ndërhyrje politike, ka pasur sipas raportit edhe për zgjedhjen e kreut të ri të SPAK, ku Altin Dumani përfundimisht u zgjodh me diferencë prej një vote, si kreu i ri i Prokurorisë së Posaçme.

Aty përmendet edhe shqetësimi për presion politik, të cilin ambasadorja amerikane, Yuri Kim, e shprehu përpara zgjedhjes së Dumanit, ku ajo madje u angazhua edhe për të vëzhguar vetë gjithë procesin.

Por, sërish, Qeveria shqiptare i ka hedhur poshtë akuza të tilla.

Gjyqësori ka përmirësim, por zvarritja e vetingut është shqetësuese

Arrestimet për çështjet e njohura si “inceneratori” dhe krijimi i një harte të re gjyqësore janë tregues pozitivë se drejtësia në Shqipëri po ecën, por njëkohësisht zvarritja e procesit të vetingut nga palët është tepër shqetësuese për ndërkombëtarët.

Kështu reflekton raporti i fundit i Freedom House sa i takon Shqipërisë, ku për herë të parë prej vitit 2015, vlerësimi në indeks rritet nga 2.75 në 3.00 pikë, sa i takon sferës së korrupsionit dhe pavarësisë së gjyqësorit.

Ky është edhe i vetmi element, i cili ka bërë që vendi të avancojë në sferën e përgjithshme të demokracisë.

Dënime si ai ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Saimir Tahiri, për shpërdorim detyre, arrestimi i ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, apo ai i deputetit të Partisë Socialiste, Alqi Bllako, lidhur me çështjen e inceneratorëve, janë tregues se drejtësia po lëviz në Shqipëri.

Këtu, bashkëngjitur edhe arrestime në nivel kryebashkiakësh, si ai i Lushnjës, Fatos Tushe apo i Bulqizës, Lefter Alla.

“Inceneratorët e mbetjeve ishin tema kryesore e akuzave për korrupsion në Shqipëri gjatë vitit”, thuhet në raport ku përmendet se akuzat u ngritën fillimisht nga Endri Shabani, i Nismës #Thurje, dhe më pas nga deputetja Monika Kryemadhi, ish-kryetare e LSI-së, tani Partia e Lirisë, si edhe Partia Demokratike e cila hapi edhe hetimin parlamentar në mars të kryesuar nga anëtarja e Kuvendit Jorida Tabaku.

Përsa i takon drejtësisë dhe gjyqësorit raporti përmend shqetësimet për zvarritjen e procesit të vetingut, duke shtuar se nën presionin e BE-së dhe SHBA-së, Kuvendi ra dakord për të zgjatur procesin e verifikimit deri më 31 dhjetor 2024.

Lidhur me hartën e re gjyqësore, Freedom House thotë se ndërsa aktorët ndërkombëtarë që mbrojtën reformën gjyqësore në Shqipëri e vlerësuan hartën, ajo është kritikuar ashpër nga shoqata të shumta avokatësh dhe shoqëria civile, të cilat thonë se “ulja e numrit të gjykatave do të dëmtojë qasjen e qytetarëve në drejtësi dhe do të rrisë koston e procesit gjyqësor pasi disa qytetarëve do të duhet të udhëtojnë mbi 200 kilometra për të arritur në gjykatë”.

Probleme të tilla krijojnë edhe mosbesim te drejtësia nga ana e publikut, duke ravijëzuar sërish se ndryshime rrënjësore kërkohen, drejt të kthyerit në një demokraci liberale vendin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore