Kosova

Petkoviç: Qeveria e Kosovës është duke provokuar luftë


Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç

Drejtori i të ashtuquajturës Zyre Serbe për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç ardhjen në detyrë të kryetarit të ri të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiç e ka quajtur “pushtim” duke thënë se me veprimet e tyre, “Kurti dhe Kosova dëshirojnë të dëbojnë popullin serb nga Kosova dhe të provokojnë luftë”.

“Simboli i atij pushtimi dhe flamuri i Kosovës që e kanë ekspozuar në ndërtesën komunale të Mitrovicës, nuk do të jetë kurrë flamur për ne. Do të qëndrojë atje për aq kohë sa vetë pushtimi, dhe kjo do të thotë jo për shumë kohë”, tha ai në një konferencë për media pas betimit të Atiç si kryetar i komunës.

Sipas tij, është e papranueshme që dikush që ka fituar kaq vota të udhëheqë komunën e Mitrovicës së Veriut.

“E keni të qartë se dikush që nuk ka legjitimitet nuk mund t’i përfaqësojë qytetarët e asaj komune siç ka thënë Atiç, kur ka deklaruar se do të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve. Cilët qytetarë, kur për të kanë votuar vetëm dy serbë?”, tha ai.

Ndër të tjera, theksoi se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç është duke biseduar me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, për të gjitha pasojat që mund të vinë.

“Të gjitha pasojat e sjelljes, incidenteve dhe provokimeve të Kurtit, të cilat mund të kthehen në krizën më të madhe deri më tani”, tha ai.

Përmes një konference për media, Lista Serbe, i ka dhënë afat kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që deri më 1 qershor të “ndaloj represionin, shpronësimin, arrestimin, persekutimin dhe sulmet ndaj serbëve”.

Zgjedhjet në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok u mbajtën pasi kryetarët paraprakë nga partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, dhanë dorëheqje nëntorin e kaluar.

Ata u larguan nga institucionet në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës që obligonte shoferët me makina me targa ilegale të lëshuara nga Serbia, t’i riregjistronin ato në targat legale RKS – Republika e Kosovës.

Lista Serbe: Me 1 qershor priteni përgjigjen, do reagojmë me të gjitha mjetet

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore