Kosova

Borrell: BE-ja të ndihmojë Ballkanin Perëndimor që të luftojë kundër dhunës dhe trafikimit të armëve  


Josep Borrell

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, gjatë një konference për media në Bruksel ku po zhvillohet një takim për kontrollin e armëve të zjarrit në shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe parandalimin e trafikimit të tyre ka tërhequr vërejtjen se rreziku nga këto armë nuk është vetëm në teori, por i vërtetë.

Kryediplomati spanjoll, duke iu referuar rasteve të vrasjeve në Serbi, tha se është e gabuar të mendohet se gjëra të tilla nuk mund të ndodhin në Evropë, sepse, siç tha ai, ato po ndodhin.

“Në mënyrë që rastet e tilla të ndodhin, kryesit e veprimit duhet të kenë qasje në armë, që bën që kjo konferencë të tërheqë edhe më shumë vëmendje dhe interes. Sepse rastet e tilla dramatike na rikujtojnë se sa e rëndësishme është që të punojmë së bashku për të luftuar trafikimin e armëve të lehta”, tha Borrell.

Ai ka nënvizuar se është detyrë e të gjithëve që ta bëjnë Evropën më të sigurt në këtë kohë sfidash.

Borrell ka përshëndetur edhe fushatën e mbledhjes së armëve që ka nisur Qeveria e Serbisë pas rasteve tragjike, dhe tha se BE-ja e mbështet këtë fushatë.

Ai, po ashtu, nënvizoi rëndësinë e angazhimit të gjerë nga ana e BE-së, duke përfshirë edhe Komisionin Evropian, Këshillin, Shërbimin e Jashtëm dhe Presidencën suedeze, për të ndihmuar shtetet e Ballkanit Perëndimor që të luftojë kundër dhunës dhe trafikimit të armëve, në mënyrë që të ndihmojë “në paranadalimin e kontaminimit të të gjithë Evropës”.

Sipas Borrell shërbimet e vendeve anëtare të BE-së kanë tërhequr vërejtjen se sasi të mëdha të armëve ilegale vijnë në tregun e BE-së pikërisht nga rajoni i Ballkanit dhe rrjetet e krimit të organizuar nga këto vende janë aktive në BE.

“Të gjithë e dimë se ky aktivitet, trafikimi ilegal i armëve, paraqet një rrezik të madh për paqen dhe stabilitetin tonë. Është një kërcënim i shumëfishtë që ndikon në stabilitetin e rajonit dhe rrit rrezikun edhe nga sulmet terroriste”, deklaroi përfaqësuesi i lartë i BE-së duke shtuar se “nuk mund të ketë një Bashkim Evropian të sigurt pa pasur një Ballkan Perëndimor stabil, të fuqishëm dhe në paqe”.

Borrell më tej ka bërë të ditur se Unioni ka investuar deri tani 38 milionë euro vetëm në ndihmë për aktivitetet e kontrollit të armëve të lehta në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore