Lajme

Vuçiç ka frikë se do ta vrasë Putin-i, prandaj e mban Vulin-in shef të BIA-s


Vladimir Putin dhe Aleksander Vucic

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, e mban vazhdimisht në pozita pushteti, emnakun e tij Vulin, sepse lidhja e tij me rusët e bën Vuçiç-in të frikësohet se një ditë mund ta vrasin, ka thënë Nenad Çanak, ish lider i socialdemokratëve të Vojvodinës në Serbi.

Deklarata e Çanak për mediumin serb Danas, vijnë pas lajmit se kritiku i regjimit të Vladimir Putinit, gazetari Vladimir Kara-Murza, u dënua në Rusi me 25 vjet burg.

Ky lajm, në Serbi u komentua me një kujtim të aferës në të cilën aktori kryesor ishte kreu aktual i inteligjencës serbe BIA, Aleksandër Vulin dhe ish-ministrit të Policisë, i cili, sipas pretendimit të Kara-Murza, i ka dhënë Kremlinit informacione për takimet e opozitës ruse në Beograd në vitin 2021.

Siç ka deklaruar në një intervistë për Nova.rs, regjistrimet iu dhanë Nikolai Patrushev, sekretarit për sigurinë kombëtare në Kremlin, pas së cilës kolegu i tij Andrey Pivovarov u arrestua.

Në atë intervistë në fillim të vitit 2022, ai tha: “Në maj të vitit të kaluar (2021), Vulin ishte në Moskë për të dorëzuar transkriptet e bisedimeve tona nga takimi në Beograd. Më pas u takua me Patrushevin dhe më pas formuan të ashtuquajturin Grupi i Punës për luftën kundër revolucioneve me ngjyra”.

Aleksander Vulin

“Federata Ruse e udhëhequr nga Vladimir Putin është aktualisht një shtet nazist. Si e tillë, ajo sillet në përputhje me traditat naziste. Ajo merret me heqjen e diversitetit në çdo mënyrë, dhe e gjithë kjo mund të identifikohet absolutisht me ngjarjet në Gjermani. Ashtu si gjermanët e pabindur dhe kundërshtarët e Hitlerit ishin të parët që arritën në kampet e përqendrimit në Gjermani, ashtu edhe në Rusi ata janë edhe në kampet e përqendrimit, që në mënyrë eufemike quhen burgje me ‘masat më të rrepta’, të sjella së pari nga armiqtë e brendshëm. Është absolutisht e qartë se askush nuk do të dalë i gjallë prej tyre”, tha për Danas Nenad Çanak, ish-presidenti i Listës së Socialdemokratëve të Vojvodinës.

Putini, si Hitleri i shekullit të 21-të, shton ai, përdor të njëjtin argumentim si paraardhësi i tij historik, që është ideja se Rusia ka qenë gjithmonë për paqen, se nuk do të ishte kurrë në luftë, por se duhej për të mbrojtur të drejtat e njerëzve të saj që u abuzuan në Ukrainë.

Edhe matrica e propagandës, vëren Çanak, është në të njëjtat linja si në kohën e Hitlerit.

“Vulin, është më se i dukshme, është në marrëdhënie miqësore me njerëzit e Kremlinit, i impresionuar si çdo kompleksist nga forca dhe fuqia e madhe që jep pushteti i pakufizuar. Pra, nuk është aspak e paqartë pse dhe si ai është qen qimedredhur i atij Kremlini dhe pse dhe si i bën kaq shumë përshtypje ai paskrupulltizëm dhe përbuzje e fshehtë ruse për jetën e njeriut dhe të drejtat e njeriut”, thotë Çanak për Danas.

I pyetur se pse Vuçiç e mban Vulinin në qeveri dhe në pushtet, pse e zhvendos vazhdimisht nga një vend në tjetrin, Çanak thekson se Vuçiç disa herë ka bërë të ditur se rusët do ta vrisnin nëse do të ishin të pabindur.

“Dhe shembulli më i gjallë i kësaj ishte kur një qen iu mbyt para syve, disa vite më parë në Rusi, gjatë një vizite zyrtare, si pjesë e një lloj eksperimenti. I cili ishte një mesazh i qartë, se nëse mund t’i ndodhë një qeni, mund t’i ndodhë kujtdo. Dhe përveç faktit që strukturat e sigurisë në Serbi nuk u reformuan pas 5 tetorit… Vulin është pjesë e shërbimit që është verbërisht besnik ndaj Kremlinit, të cilit i frikësohet Vuçiç. Vuçiç nuk ka frikë nga Vulin, por nga ata, shërbëtori i të cilëve është Vulin”, thotë Çanak.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore